Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar një takim me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ku e ka përshkruar takimin si “vëllazëror dhe tejet të frytshëm”.
Gjatë diskutimit, dy liderët kanë trajtuar sfidat aktuale dhe përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e të drejtave dhe pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“PDK mbetet e përkushtuar për të forcuar lidhjet ndërshqiptare dhe për të mbështetur fuqizimin politik dhe institucional të shqiptarëve kudo që janë – jo vetëm në funksion të interesit kombëtar, por edhe si kontribuues të stabilitetit dhe integrimit euroatlantik në Ballkan”, ka deklaruar Krasniqi.
Ky takim nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ndërshqiptar në rajon dhe përkushtimin e dy partive për avancimin e çështjeve me interes të përbashkët kombëtar.