Shqipëria e Kosova nuk e luajnë rolin që realisht u takon si shtete, thotë profesori Milazim Krasniqi, në shkrimin e tij për revistën SHENJA, ku thekson se shqiptarët në Maqedoni duhet të fokusohen si subjekt i aftë që të mbrojnë veten dhe interesat e veta brenda shtetit sllavomaqedonas.
“E pakta që duhet të bëjnë është të mos lejojnë manipulimin e mëtejshëm të interesave të tyre nga Shqipëria, e cila i dëmton duke luajtur rolin e “faktorit stabilizues” për hesapin e vet. Por, duhet ta forcojnë organizimin e vet edhe në drejtim të Kosovës, që të mos u vijnë prej andej aksione destabilizuese, në emër të gjoja atdhetarizmit.”, shkruan profesori universitar, Milazim Krasniqi.
Duke folur për aspektin historik, Krasniqi thotë se nuk mund të vendoset analogji e plotë ndërmjet Portës së Lartë të fillimshekullit XX dhe SHBA-ve të sotme, por një asociacion mund të bëhet, pasi sipas tij, sot jashtë përkrahjes amerikane dhe ombrellës së NATO-s, do të ishim të ekspozuar ndaj rrezikut, si në fillim të shekullit XX, kur armiqësia me Portën e Lartë, na la të zbuluar keqas para fqinjëve ballkanikë dhe aleatëve të tyre.
“Ajo që mund të bëhet sot është se mund të lëvizet drejt fuqizimit të dy shteteve ekzistuese, Shqipërisë e Kosovës dhe nëse bëhen shtete të suksesshme, edhe drejt ndonjë forme të asociimit të tyre, paralelisht me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, pa prekur me asgjë Maqedoninë, Greqinë a Malin e Zi”, thekson Krasniqi.
Profesori Krasniqi thotë se format e bashkëpunimit të Shqipërisë e Kosovës me shqiptarët në shtetet e tjera, siç janë Maqedonia, Greqia, Serbia e Mali i Zi, i sheh vetëm nën ombrellën e NATO-s dhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Krasniqi për Revistën SHENJA: Shqiptarët e… by tvshenjaofficial