Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi është deklaruar pas takimit me ndërmjetësin evropian në dialog, Miroslav Lajçak.
Krasniqi ka thënë se në takim janë informuar për draftin e ri të asociacionit, por ka thënë se nuk patën mundësinë ta konsultojnë tekstin integral, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kreu i PDK-së thotë se Lajçak ka shprehur qëndrimin e shteteve të BE-së se ky draft nuk i tejkalon vijat e kuqe të Kushtetutës.
Ai ka thënë se shqetësimet vazhdojnë pasi nuk i kanë parë ende detajet e tekstit.
“Ishte një takim informues për rrjedhën e procesit të dialogut, ai na informoi për hapat që janë ndërmarrë dhe shprehur qëndrimin e BE-së që drafti i asociacionit që është propozuar qeverisë është një draft që është në pajtim me Kushtetutën, dhe që nuk shkon përtej vijave të kuqe, por që ne nuk patëm mundësinë ta konsultojmë tekstin integral. Nga ana ime shpreha qëndrimin e PDK-së që besojmë se duhet të ketë një vendosmëri më të madhe për të shkuar para në proces, por mbi të gjitha edhe transparencë.
Në këtë kuadër, është për të kritikuar qasja e Qeverisë me mungesën e plotë të transparencës ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë, sepse është e pamjaftueshme që në fund të fundit të thuhet që ky draft është apo nuk është në pajtim me Kushtetutën, pa i lexuar nga një perspektivë edhe e ekspertizës kushtetuese të gjitha nenet dhe tekstin integral të marrëveshjes.
“Ne sigurisht se jemi të shqetësuar sepse nuk jemi të njoftuar me detajet dhe po e them siç thotë një shprehje, ta themi ndërkombëtare “dreqi fshihet në detaje”. Ne duhet të shohim detajet e tekstit për të qenë sigurt se një themelim asociacioni nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë”, ka shtënë Krasniqi para mediave.
Emisari i BE-së vjen në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.
Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot./Reporteri.net/



