Sot, në rezidencën e shkëlqesisë së saj, ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Dreksler, pata kënaqësinë të zhvilloj një drekë pune, gjatë së cilës diskutuam për agjendën reformuese evropiane, forcimin e sundimit të ligjit dhe hapat konkretë për avancimin e reformave në drejtësi.
Në këtë kontekst, theksova rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet gjermane dhe Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), i cili që nga v. 2000 është partneri ynë i rëndësishëm në mbështetjen e reformave juridike, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe përafrimin e sistemit tonë të drejtësisë me standardet evropiane.
Shpreha gjithashtu vlerësimin tim për urimin nga shkëlqesia e saj, ministrja federale gjermane e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, Dr. Stefanie Hubig, të cilin e konsideroj një shenjë të rëndësishme të respektit institucional dhe të potencialit për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në fushën e drejtësisë.
Gjermania është një partner strategjik i vendit tonë dhe një mbështetëse e rëndësishme e rrugëtimit tonë drejt Bashkimit Evropian. Mbështetja e saj për reformat është e çmuar, por përgjegjësia për t’i zbatuar ato me vendosmëri dhe për të siguruar rezultate konkrete është e jona.
Si Ministër i Drejtësisë, mbetem i përkushtuar ndaj një agjende reformuese që forcon pavarësinë e gjyqësorit, sundimin e ligjit, integritetin institucional dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Integrimi evropian nuk matet vetëm me ligje të miratuara apo me deklarata politike. Ai matet me zbatimin e reformave, funksionimin e institucioneve dhe drejtësinë që qytetarët e përjetojnë çdo ditë.
Me partnerë strategjikë si Gjermania dhe përmes bashkëpunimit konkret me IRZ-në, synimi ynë është i qartë: reforma të qëndrueshme, institucione të forta dhe një sistem drejtësie në përputhje me standardet evropiane.



