Kryeministri Dimitar Kovaçevski mëngjesin e sotëm dorëzoi në Kuvend propozimin për rikonstruktim të Qeverisë. Kabineti qeveritar po i bën vend edhe Aleancës për Shqiptarët. Kuadrro të ASH-së që janë propozuar janë Krenar Lloga për ministrinë e Drejtësisë të udhëheqë, Fatmir Mexhiti për Shëndetësinë, Azir Aliu për ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, ndrësa me ministrinë për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor Kaja Shukova nga LSDM.
ASH merr edhe dy poste zëvendësministrash. Tiron Jajaga, zëvendësministër në Mbrojtje dhe Vjollca Berisha zëvendësministër e Bujqësisë.
“Aleanca për Shqiptarët ka zgjedhur më të mirët në radhët e veta për të udhëhequr resoret e saj brenda koalicionit qeverisës. Ky ekip do të përkrahet nga një numër i madh i zyrtarëve të shpërndarë në shumë drejtori dhe agjenci në të gjitha fushat e jetës publike.”- thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
“Këtë shumicë parlamentare që po bëhet kinse bashkë për Europë është aleancë për të shpëtuar Artan Grubin nuk do e votojë, do të jem kundër. Do t’i them qëndrimet e mija dhe do të pres të shoh edhe programin, të shoh edhe kush janë kandidatët për ministra”- tha Izet Mexhiti, deputet i BDI-së.
“Ne nuk jemi të gatshëm të mbështesim një partner të ri në Qeveri përderisa kërcënon me destabilizimin, radikalizimin dhe riorganizimin e Maqedonisë, duke i ndarë qytetarët në baza etnike rreth ndryshimeve të paralajmëruara kushtetuese.”- thanë Lidhja Demokratike.
“Për ministër të Drejtësisë propozohet vëllai i të dyshuarit për vrasjen e Dilaver Bojkut. Zëvendësja e tij do të jetë Viktorija Madiq, kuadër e LSD-së për gjithçka, ish-sekretare e parë e qytetit të Shkupit në kohën e humbësit Shilegov, e cili në opinion njihej si Rashkovski i ri, sepse kompania e dhëndrit të saj merr tenderë me mbi 4 milionë euro nga institucionet shtetërore. Pra vëllai i të dyshuarit për vrasje dhe ish-sekretarja e Qytetit të Shkupit e njohur si Rashkovski i ri tani janë njerëz që do të udhëheqin drejtësinë në vend”- pohoi Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Por për LSDM-në, vendi tashmë ka shumicë më të madhe për bërë reforma në drejtësi, në politika ekonomike dhe për integrimin e vendit në BE.
“Me përfshirjen e Aleancës si partner i ri koalicionues në Qeveri sigurohen të gjitha kushtet për stabilitet politik dhe është rritur efikasiteti i Kuvendit dhe institucioneve. Stabilitet dhe efikasitet që do të kontribuojë të vazhdojmë me reformat në ekonomi, gjyqësor dhe integrimin e vendit në BE. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që në kohën kur ende zgjatë kriza ekonomike dhe energjetike të mos ketë ligje të ngecur në Kuvend, të parandalohen bllokadat e VMRO-DPMNE-së dhe të hapet rruga për shumë ligje për përmirësimin e jetës së qytetarëve”- tha Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.
Përfshirja e ASH-së në shumicë do ta rriste numrin në 72 deputetë, por nëse Alternativa del, ky numër bie në 69. Ndonëse grupi i zjarrit dhe Trajanov nuk mbështesin Qeverinë e re, numrat tregojnë se përsëri ka shumicë të thjeshtë prej 61 votash për ta votuar rikonstruimin e Qeverisë, nëse nuk ndodh ndonjë e papritur.