E di që sfidat me të cilat përballemi krijojnë mosbesim. Për këtë vit kam bërë maksimumin, më së shumti që mund të bëhet në kushte të tilla krize. Për të bërë më shumë dhe më mirë, qeveria dhe unë kemi nevojë për mbështetjen e qytetarëve, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistën e Vitit të Ri për “Fokus”.
Viti i kaluar, deklaron kryeministri, ishte jashtëzakonisht i vështirë, vetëm pas përfundimit të pandemisë filloi lufta në Ukrainë. Kriza ekonomike u thellua, pastaj erdhi kriza energjetike dhe patëm vendime të vështira në planin politik.
“Vlen të theksohet se përveç të gjithave, kriza është edhe një mundësi. Nga ky aspekt, transformimi energjetik është shumë i rëndësishëm për vendin. Maqedonia e Veriut ka resurse dhe plani është që të shfrytëzojmë të gjitha resurset që kemi në dispozicion për ta bërë vendin një qendër energjetike të energjisë së gjelbër, dhe jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë”, thotë kryeministri.
“Gjithçka që listova, të gjitha reformat, rritja e pagës minimale… Ne kemi pagën mesatare më të lartë, askush nuk e besonte se do të arrinte mbi 500 euro. Kemi rritur me 10 për qind pensionet, kemi hapur numër më të madh të kopshteve. Tani kemi hapur autostradën Krupisht – Koçan, që do të thotë nga Shtip në Koçan një autostradë krejtësisht e re. Në autostradën Kërçovë-Ohër po punohet me dinamikë të fortë… E gjithë kjo është rezultat i ekipit të qeverisë. Dhe kjo është arsyeja pse pas këtyre 11 muajve, qeveria arriti rezultate të rëndësishme në kushte të vështira, duke përfshirë negociatat me BE-në”, thotë Kovaçevski.