Kovaçevski: Nëse BEG nuk mund të sigurojë ngrohje, Qeveria do të marrë përkohësisht punën e kompanisë

Kovaçevski: Nëse BEG nuk mund të sigurojë ngrohje, Qeveria do të marrë përkohësisht punën e kompanisë

Ministria e Financave ka siguruar kredi të favorshme prej 8 milionë eurosh, me të cilën BEG mund të blejë gaz për ngrohje qendrore për banorët e Shkupit, tha mandatari për kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe shtoi se për kredinë, BEG duhet të ofrojë garanci për shërbimet bankare të tregut. Nëse kjo nuk ndodh, Kovaçevski tha se po shqyrtohet mundësia për marrjen e përkohshme të punës me kompanitë që kanë licenca për sigurimin e energjisë termike, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Financave ka siguruar fonde për BEG-un me të cilat mund të blejë gaz. Mjetet janë nga Banka Zhvillimore e Maqedonisë së Veriut në formë kredie favorizuese prej 8 milionë euro. Ato i ofrohen kompanisë, por për kredinë BEG si kompani private duhet të ofrojë garanci sipas shërbimeve bankare të tregut. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë është duke u shqyrtuar opsioni për marrjen e përkohshme të punës me kompanitë në Shkup, të cilat janë të obliguara që në përputhje me licencat e tyre të ofrojnë energji termike për qytetarët e qytetit të Shkupit”, tha mandatari.

Kovaçevski për problemin me ngrohen akuzoi edhe për mungesë kujdesi autoritetet e qytetit.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dje deklaroi se BEG mund të mbetet pa licencë nëse nuk lëshon energji termike për qytetarët e Shkupit.

Kryetari i Komisionit Rregullator, Marko Bislimoski, nga ana tjetër, i bëri thirrje qytetit të Shkupit dhe komunave të Shkupit që t’i ndihmojnë konsumatorët që kostoja të mos bjerë mbi kurrizin e qytetarëve.

“Kostoja e blerjes së gazit natyror në janar 2022 krahasuar me janarin 2021 është rritur për nëntë milionë euro. Konsideruam që e gjithë kjo kosto të mos bjerë mbi kurriz të qytetarëve dhe kemi bërë thirrje për solidaritet për t’i ndihmuar konsumatorët nga Qyteti i Shkupit dhe komunat”, tha Bislimoski në emisionin “24 analiza” në TV24.

Kujtojmë se shkupianët dhe pjesët e tjera të qytetit ditëve të fundit, janë përballur me ulje të temperaturës së ngrohjes, apo me radiatorë krejtësisht të ftohtë. Balkan Energy Group (BEG) sqaron se në kushtet e krizës energjetike, regjimi i sigurimit të ngrohjes qendrore është i optimizuar. Mbi 200 qytetarë janë ankuar për ngrohjen qendrore, ndërsa nga BEG thonë se kanë intervenuar.