Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në Forumin Ekonomik Delfi në Greqi, realizoi takim me Përfaqësuesin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Në fokus të takimit ka qenë situata aktuale e krizës në Evropë e shkaktuar nga agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës, të cilën Maqedonia e Veriut e dënoi si shkelje brutale të së drejtës ndërkombëtare dhe e jep kontributin e saj në organizimin e ndihmës efektive për refugjatët ukrainas dhe forcimin e krahut lindor të Aleancës si përgjigje e mundshme ndaj situatave të paparashikueshme.
Siç theksohet në kumtesë, gjatë bisedimeve, kryeministri Kovaçevski dhe Përfaqësuesi special i BE-së Lajçak ranë dakord se lufta në Ukrainë ka pasoja negative për stabilitetin e Evropës dhe veçanërisht për Ballkanin Perëndimor dhe thanë se një përgjigje e përshtatshme ndaj këtyre pasojave është përshpejtimi i procesit integrues të vendeve të rajonit dhe negociatat urgjente me Maqedoninë e Veriut si prioritet.
Ndryshe, Kovaçevski në takimin me Lajçakun theksoi se ka progres në dialogun Shkup-Sofje për të cilin kërkohet përkrahja e Brukselit për të përcaktuar kornizën negociuese dhe për të vendosur synimin për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut sa më shpejtë me Komisionin Evropian si fillim të procesit të mbylljes së kapitujve për anëtarësim në BE.



