Deklarata e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian, ka rikthyer në vëmendje perspektivën evropiane të rajonit dhe, në veçanti, pozitën e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Kjo deklaratë vjen në një periudhë kur zgjerimi i BE-së mbetet një ndër çështjet kryesore të agjendës politike evropiane, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme në rrugën drejt anëtarësimit. Për Kosovën, ky proces mbetet veçanërisht kompleks, për shkak të pengesave politike, por edhe nevojës për të avancuar reformat dhe përmbushur kriteret evropiane.
Përveç reformave në sundimin e ligjit, forcimit të institucioneve demokratike dhe luftimit të korrupsionit, një ndër sfidat kryesore vazhdon të jetë mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Ky qëndrim e vështirëson arritjen e një konsensusi brenda Unionit dhe ndikon në avancimin e Kosovës në procesin e integrimit.
Në këtë kontekst, deklarata e Costës ngre pikëpyetje nëse mbështetja politike për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor do të përkthehet edhe në hapa konkretë për Kosovën. Mbetet të shihet nëse ky mesazh do të shoqërohet me një qasje më të qartë institucionale ndaj vendit dhe në çfarë mase do të ndikojnë zhvillimet politike brenda shteteve anëtare në përshpejtimin e procesit të zgjerimit.
Për të kuptuar se çfarë nënkupton ky mesazh për të ardhmen evropiane të Kosovës, rëndësi të veçantë kanë reformat e brendshme, vullneti politik i shteteve anëtare, tejkalimi i dallimeve brenda BE-së dhe gatishmëria e institucioneve evropiane për t’i ofruar Kosovës një perspektivë më konkrete dhe të besueshme drejt anëtarësimit.
Lushaj: Kosova ka nevojë për hapa konkretë, jo vetëm për deklarata evropiane
Deklarata e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, për të ardhmen evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor përbën një sinjal pozitiv për Kosovën, por rëndësia e saj, sipas njohësve të çështjeve politike, duhet të dëshmohet përmes veprimeve konkrete.
Adem Lushaj, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se deklarata e Costës konfirmon perspektivën evropiane të Kosovës, por thekson se ky mesazh nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e deklaratave politike.
Sipas tij, Kosova duhet t’i përshpejtojë reformat në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, ai nënvizon se edhe Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë vullnet politik për ta trajtuar Kosovën si pjesë të pandashme të perspektivës evropiane.
ImageAdem LushajFoto galeri
Duke folur për pengesën që paraqet mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, Lushaj vlerëson se kjo mbetet një pengesë serioze politike, por nuk duhet të përcaktojë pafundësisht të ardhmen evropiane të vendit.
Ai konsideron se Bashkimi Evropian duhet të gjejë mekanizma që dallimet politike brenda Unionit të mos e bllokojnë përparimin e Kosovës në procesin e integrimit.
“Integrimi duhet të bazohet në kritere, reforma dhe rezultate konkrete, e jo të mbetet peng i qëndrimeve të ndryshme politike brenda Unionit”, shprehet Lushaj për “Bota sot”.
Sipas tij, perspektiva evropiane e Kosovës duhet të shndërrohet në një proces me hapa dhe afate të qarta. Ai rikujton se Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, por ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat.
Lushaj e sheh këtë si dëshmi të hendekut ndërmjet deklaratave politike dhe veprimeve konkrete, duke theksuar se përgjegjësia për avancimin e procesit është e dyanshme.
Në njërën anë, institucionet e Kosovës duhet të përmbushin reformat dhe obligimet e tyre, ndërsa në anën tjetër, Bashkimi Evropian duhet të ofrojë një udhërrëfyes të qartë, me hapa të matshëm dhe afate orientuese.
Lushaj nënvizon se Kosova nuk kërkon privilegj, por trajtim të drejtë dhe të barabartë në rrugën drejt integrimit evropian.
“E ardhmja e saj është në Bashkimin Evropian dhe këtë orientim e ka dëshmuar vazhdimisht”, deklaron ai.
Në fund, Lushaj vlerëson se një Kosovë demokratike, e qëndrueshme dhe e integruar është në interes jo vetëm të qytetarëve të saj, por edhe të paqes dhe sigurisë në gjithë Evropën.
“Është koha që perspektiva evropiane e Kosovës të kalojë nga premtimi politik në një proces konkret integrimi”, përfundon Lushaj.
Bexheti: Mosnjohja nga pesë shtetet e BE-së nuk duhet ta pengojë integrimin, njohja mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje të përbashkët evropiane
Ndërkaq, analisti Nexhat Bexheti vlerëson se Kosova ka shënuar përparim më të madh në përmbushjen e kritereve evropiane krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe se, përmes reformave të mëtejshme, mund të avancojë drejt anëtarësimit para Serbisë.
ImageNexhat BexhetiFoto galeri
Ai thekson se mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së nuk duhet të shndërrohet në pengesë të pakapërcyeshme për integrimin, pasi çështja e njohjes, sipas tij, mund të zgjidhet edhe në kuadër të një pakete të përbashkët evropiane.
Në një prononcim për “Bota sot”, Bexheti e cilëson deklaratën e Costës si një mesazh me rëndësi për vendet e rajonit, por thekson se anëtarësimi në BE kërkon përmbushjen e kushteve dhe reformave të përcaktuara nga institucionet evropiane.
Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor ende nuk i kanë kuptuar në thelb parimet dhe kërkesat e Bashkimit Evropian, të cilat përcaktojnë rregulla dhe standarde të qarta për plotësimin e parakushteve të anëtarësimit.
Bexheti vlerëson se ndër kushtet më të vështira për vendet e rajonit janë përfundimi i tranzicionit, luftimi i korrupsionit financiar brenda qeverive, ngritja e nivelit të demokracisë dhe forcimi i sundimit të ligjit.
Duke folur për pozitën e Kosovës në këtë proces, analisti shprehet se vendi ka shënuar përparim më të madh në përmbushjen e këtyre kushteve krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ai konsideron se, me disa reforma të tjera, Kosova mund të avancojë më shpejt drejt anëtarësimit në BE, madje duke e tejkaluar edhe Serbinë.
“Kosova me pak reforma të tjera shumë shpejt mund t’i kalojë vendet e tjera, sidomos Serbinë, që të inkuadrohet para saj në BE dhe që Serbia të mos bëhet pengesë për integrimin e Kosovës, siç është rasti me kushtëzimin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut”, vlerëson Bexheti.
Ai thekson se institucionet e Kosovës duhet t’u qasen me seriozitet ndryshimeve të nevojshme dhe harmonizimit të legjislacionit me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Sa i përket mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, Bexheti mban qëndrimin se kjo çështje nuk duhet ta pengojë vendin në rrugën drejt anëtarësimit, pasi njohja mund të realizohet edhe në kuadër të një pakete të përbashkët evropiane.
“Mosnjohja e pesë shteteve anëtare të BE-së nuk është fare pengesë dhe nuk duhet të na hendikepojë, sepse njohja mund të bëhet në paketë nga BE-ja dhe t’ia hapë rrugën konkrete drejt anëtarësimit të Kosovës”, deklaron ai për “Bota sot”.
Bexheti përmend edhe disa elemente të sistemit institucional të Kosovës, të cilat, sipas tij, janë ndërtuar duke u mbështetur në përvojën evropiane që nga periudha e administrimit të UNMIK-ut.
Ai rikujton se gjatë asaj periudhe ishin zbatuar ligje dhe rregulla në fushën fiskale, doganore dhe në sektorë të tjerë të shërbimeve civile. Sipas tij, edhe sot disa prej këtyre sistemeve dhe praktikave vazhdojnë të jenë në funksion, përfshirë dokumentacionin civil, formatin e dokumenteve personale dhe përdorimin e euros në qarkullimin e pagesave.
Këto elemente, sipas analistit, përbëjnë lehtësim për institucionet e Kosovës në procesin e përafrimit me standardet evropiane.
Ai vlerëson gjithashtu se Kosova nuk ka pengesa të mëdha politike të brendshme sa i përket orientimit evropian, pasi të gjitha partitë politike e kanë përfshirë anëtarësimin në NATO dhe BE në programet e tyre politike.
Ndërkaq, duke folur për anëtarësimin në NATO, Bexheti thekson rëndësinë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe të mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleanca euroatlantike.
Sipas tij, Kosova duhet ta synojë fillimisht anëtarësimin në NATO dhe më pas atë në Bashkimin Evropian, ndërsa përmbushja e kritereve të sigurisë dhe mbrojtjes mbetet pjesë e rëndësishme e këtij orientimi strategjik.
Në përfundim, Bexheti shprehet optimist për perspektivën evropiane të Kosovës, duke theksuar se përkushtimi i institucioneve dhe vazhdimi i reformave janë vendimtarë për përshpejtimin e procesit.
“Për Kosovën, Brukseli është afër. Vetëm me përkushtimin e qeverisë, Kosova do të anëtarësohet shpejt në BE”, përfundon Bexheti.



