Azir Aliu
Disa ditë më parë, hulumtimi i publikuar nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE paraqiti të dhëna që nuk mund të injorohen si thjesht statistikë. Hulumtimi, i realizuar me një mostër prej 1.040 të anketuarish të rritur, tregon se 37 për qind e qytetarëve kanë pak besim se mund të marrin trajtim të barabartë në shëndetësinë publike pa njohje, pagesa ose praktika të tjera korruptive, ndërsa 20.4 për qind nuk besojnë aspak në këtë. Për 33.4 për qind, korrupsioni lidhet më së shpeshti me sigurimin e një shtrati spitalor ose operacioni pa pritje, ndërsa për 26.8 për qind lidhet me qasje ose termin urgjent te specialisti dhe për 21 për qind me trajtim më të mirë nga specialisti. Këto janë të dhëna që nuk mund të reduktohen në devijime individuale, sepse tregojnë për një ndjenjë të përgjithshme të cenimit të drejtësisë në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore.
Kur mosbesimi bëhet kaq i përhapur në shoqëri, problemi nuk mund të shihet më vetëm përmes ekzistencës së një akti korruptiv, sepse dimensionet e tij përcaktohen edhe nga pritjet e krijuara paraprakisht. Qytetari beson se pa ndërmjetësim, lidhje apo shërbime informale, nuk mund të arrijë atë që i takon. Jemi në një moment ku dobësimi i besimit në trajtim të barabartë çon në minimin e besimit ndaj institucioneve, por edhe më shqetësuese, në minimin e moralit shoqëror – se i sëmuri do të trajtohet si njeri, e jo si ndikim, njohje apo “zgjidhje pune”.
Si ministër, detyrimi im është që së pari të përgjigjem institucionalisht dhe në mënyrë sistemike. Prandaj, që nga dita e parë, kam premtuar publikisht dhe vazhdimisht që digjitalizimi dhe transparenca nuk do të mbeten vetëm zbukurime teknike të sistemit shëndetësor, por do të bëhen instrumente të drejtësisë. Që në fillim, kemi mundësuar raportimin elektronik të parregullsive përmes një moduli digjital, kemi vendosur sistem për monitorimin elektronik të ndërhyrjeve kirurgjikale elektive, listat e pritjes po bëhen të dukshme, renditja e verifikueshme dhe pacienti merr informacione të sakta për radhën e tij. Paralelisht, kemi përgatitur ndryshime ligjore për menaxhimin elektronik të dokumentacionit mjekësor, referimeve, recetave dhe raporteve, të cilat përmes sistemit “Termini im” synojnë të zvogëlojnë zonën gri ku për vite me radhë është zhvilluar hapësira për abuzim. Së fundmi, kam theksuar se lufta kundër korrupsionit duhet të zhvillohet përmes transparencës ndaj qytetarëve, digjitalizimit të sistemit, rregullave të rrepta dhe mundësisë për raportim anonim të abuzimeve. Të gjitha këto përmirësime institucionale dhe shprehje e një vullneti të fortë politik janë të domosdoshme, por jo të mjaftueshme. Do të gabonim nëse besonim se edhe sistemi më i mirë mund të bëjë gjithçka vetë. Edhe në sistemin më të përkryer shëndetësor ekziston një hapësirë që nuk mund të rregullohet plotësisht as nga ligji, as nga algoritmi, as nga protokolli. Ajo hapësirë është thellësisht intime – aty mbeten vetëm mjeku dhe pacienti. Sistemi mund të vendosë kornizë, por nuk mund të depërtojë plotësisht. Aty, etika është ajo që përcakton marrëdhënien.
Pikërisht në këtë hapësirë intime mes mjekut dhe pacientit, mjekësia gjithmonë ka kërkuar standardin e saj më të lartë në etikë. Betimi i Hipokratit, si kod historik etik i profesionit mjekësor, mbetet një kujtesë se njohuria mjekësore merr kuptim vetëm kur vihet në shërbim të njeriut të sëmurë. Nuk është rastësi që ai e obligon mjekun të mbrojë pacientin nga “çdo dëm dhe e keqe”. Në këtë parim të thjeshtë qëndron thelbi i etikës mjekësore: mjeku nuk është i thirrur vetëm të shërojë, por edhe të mos lejojë që cenueshmëria e pacientit të kthehet në padrejtësi, pabarazi apo përfitim personal.
Jehoja moderne e saj në Deklaratën e Gjenevës të Shoqatës Botërore Mjekësore thekson se shëndeti dhe mirëqenia e pacientit janë prioriteti kryesor i mjekut dhe se profesioni duhet të ushtrohet me ndërgjegje dhe dinjitet. Etika është kufiri i brendshëm që mbron dinjitetin e profesionit dhe ruan besimin e pacientit. Aty ku ky kufi është i fortë, shëndetësia mbetet një thirrje humane. Aty ku dobësohet, edhe sistemi më i mirë humb kuptimin e tij njerëzor.
Kodi ynë i deontologjisë mjekësore është po aq i qartë: mjeku është përgjegjës para ndërgjegjes së tij, para pacientit dhe para shoqërisë. Ai është i detyruar të respektojë të drejtat e pacientëve dhe të ruajë besimin e tyre. Marrëdhënia me pacientin nuk duhet të kushtëzohet nga përfitimi, ambiciet personale apo interesat individuale. Këto parime përbëjnë bazën morale mbi të cilën mjekësia ruan dimensionin e saj human.
Prandaj, kjo nuk duhet të shndërrohet në një dënim të padrejtë të një profesioni që çdo ditë mban një barrë të rëndë dhe përgjegjësi të madhe. Përkundrazi, duhet të jetë një thirrje për mbrojtjen e dinjitetit të profesionit nga praktika që janë në kundërshtim me etikën e tij. Çdo abuzim nuk e poshtëron vetëm pacientin, por edhe komprometon mjekun e ndershëm dhe punonjësin e përkushtuar shëndetësor, si dhe reputacionin e të gjithë profesionit.
Prandaj, përgjigjja duhet të jetë e dyfishtë. Si institucione, duhet të zvogëlojmë më tej hapësirën për abuzim përmes gjurmëve digjitale, rregullave, mbikëqyrjes, sanksioneve dhe proceseve të depolitizuara. Vetë hulumtimi i ESE-s tregon se qytetarët e presin pikërisht këtë: më shumë kontroll, sanksione më të rrepta, transparencë më të madhe dhe eliminim të ndikimeve politike dhe nepotizmit. Por, përgjegjësia nuk përfundon me institucionet, ajo vazhdon në vendimet e përditshme profesionale të çdo mjeku dhe punonjësi shëndetësor. Ata duhet të mbrojnë hapësirën e brendshme të mjekësisë, ku asnjë sistem nuk mund të zëvendësojë ndërgjegjen dhe asnjë aplikacion nuk mund të zëvendësojë nderin personal. Vetëm kur sistemi dhe ndërgjegjja qëndrojnë në të njëjtën anë, mund të kemi një shëndetësi ku pacienti do të ndiejë se përballë tij nuk ka vetëm një institucion, por edhe një njeri që e kupton peshën morale të detyrës së tij.


