Mungesa e remitencave, përkatësisht mbështetja financiare nga diaspora, tashmë ka filluar të ndjehet, theksojnë afaristët, duke theksuar se paratë që sillnin punëtorët me punë të përkohshme në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe paratë e mërgimtarëve të cilët kalonin pushimet në Maqedoninë e Veriut mbeten burim serioz për ekonominë e vendit.
Në bazë të të dhënave nga Banka Popullore, diaspora në periudhën 2009 -2018 në Maqedoninë e Veriut i ka sjellë të ardhura brenda vitit në një mestare prej rreth 200 milionë euro, të dhëna këto që bazohen në burimet administrative siç janë pagesat përmes llogarive bankare si dhe transferim i shpejtë i parave.
Përderisa, ekspertët e ekonomisë thonë se të ardhurat nga remitencat janë madje 10 herë të larta nga ajo që paraqiten zyrtarisht sepse një vlerë shumë e lartë e parave në vend vijnë përmes transferve të ndryshme që nuk regjistrohen.
Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, për Radion Evropa e Lirë thotë se kthimi i parave nga diaspora në formë të remitencave paraqesin një burim shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
“Këto mjete janë shumë të rëndësishme pasi ato injektohen në ekonominë e vendit edhe pse këto mjete kryesisht janë për qëllime sociale, ato ndikojnë në rritjen e konsumit. Por, do theksuar se ka më shumë raste që këto mjete kthehen edhe në formë të investimeve edhe atë të investimeve shumë të suksesshme”, thekson Iseni.



