Alsat 2020-03-10T17:35:25+01:00
Të gjitha çerdhet, shkollat fillore e të mesme, universitetet mbyllen për 14 ditë. Vendimi i qeverisë erdhi pas rekomandimit të Komisionit për sëmundje ngjitëse me qëllim që të pengohet përhapja e koronavirusit. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe bëri thirrje që masat dhe apelet t’i respektojnë të gjithë qytetarët dhe institucionet. Nxënësit dhe qytetarët të tjerë të qëndrojnë në shtëpi dhe këtë masë të mos e keqpërdorin për shëtitje sidomos në ambiente të mbyllura.
Njëri prind me fëmijë deri në moshën 10 vjeçare, i mundësohet të lirohet nga puna, qoftë në institucione shtetërore ose private, pushimi i të cilit do të kompensohet plotësisht. Gjithashtu ndërpritet mësimi në arsimin e lartë si dhe institucionet shkencore. Ndalohen tubimet publike në ambient të hapur dhe të mbyllur me mbi 1000 pjesëmarrës- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë
Filipçe, gjithashtu bëri të ditur që ndeshjet sportive do të luhen pa publikë edhe për 30 ditë të tjera. Personave me sëmundje kronike u rekomandohet të mos e shfrytëzojnë transportin publik dhe të mos lëvizin pa nevojë. Gjithashtu të anulohen të gjitha udhëtimet e organizuara.
Detyrohen për vet izolim gjithë personat që vijnë nga shtetet me rrezik të mesëm dhe të lartë në periudhë prej 14 ditëve në përputhje me listën e shteteve qe e publikon OBSH-ja dhe e njejta plotësohet për çdo ditë. Ndalohet eksporti i pajisjeve medicinale nga ana e operatorëve ekonomik nga vendi. Rekomandohet mos të udhëtohet në vendet me rrezik të mesmë dhe të lartë në përputhje me listën e përmendur- tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Ministri Filipçe tërhoqi vërejtjen se të gjithë personat fizik dhe juridik që nuk do ti respektojnë rekomandimet dhe masat do të sanksionohen në bazë të nenit 205 dhe 206 të Kodit Penal ku parashikohen gjoba dhe dënim me burg deri në një vjet.
Melihate Rustemi
Loading…



