Alsat 2020-04-17T14:11:29+02:00
Virusi korona, përveç të parëve në vijën e fronit që janë personeli mjekësor, nuk ka kursyer as funksionarët. Disa të infektuar, disa në izolim dhe disa nën masa të shtuara kujdesi, është gjendja aktuale në mesin e përfaqësuesve në institucione. Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, i ndodhur në grupin e përfaqësuesve të ekzekutivit të cilët dy ditë më parë takuan kreun e Kumanovës Maksim Dimitrievski, tani kryen detyrën nga shtëpia. Ademi thotë se për momentin, nuk ka asnjë simptomë të virusit.
Në bisedë me epidemiologët në është përcjellë se ekziston rrezik i vogël që të jemi të infektuar për arsye se kemi respektuar të gjitha masat mbrojtëse dhe të gjitha detyrimet të cilat rrjedhin nga protokollet e autoriteteve shëndetësore. Personalisht ndjehem shumë mirë, asgjë e pazakontë. Po i kryejmë detyrat tona nga mëngjesi dhe nuk kam asnjë simptomë për momentin. Besoj se do të duhet t’i nënshtrohemi testimit, ndoshta prej ditës së martë e tutje – tha Arbër Ademi, ministër i Arsimit.
Ndër pacientët që kurohet nga infektimi i Covid 19 është edhe deputetja e LSDM-së Keti Smilevska e cila ndodhet e shtruar në spital. Ajo thotë se sëmundja është serioze dhe e ka përjetuar rëndë.
Sëmundja është e vështirë dhe serioze dhe u ftoj të jeni të përgjegjshëm para së gjithash për veten dhe për të tjerët, t’i respektoni masat e Ministrisë së Shëndetësisë. Personeli mjekësor bën përpjekje mbinjerëzore të na dalë në ndihmë neve pacientëve. Gjendja ime shëndetësore tani është më e mirë, pas 14 ditësh me probleme me të rënda – u shpreh Keti Smilevska, deputete e LSDM-së.
Në gjendje të mirë tani është kreu i Komunës Çeshinovë-Obleshevë, Goranço Kërstev. Ai ishte funksionari i parë që u infektua me virus në vendin tonë. Me rezultat pozitiv për momentin është i pari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Pas takimit me Dimitrievskin u izoluan një pjesë e pjestarëve të ekzekutivit. Kryeministri Oliver Spasovski një ditë më parë njoftoi se do të qëndrojë në izolim dhe do të drejtojë qeverinë nëpërmjet formave elektronike. Në shtëpi do të qëndrojë edhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe nga ku do të mbajë kontakte të vazhdueshme me Komisionin për sëmundje ngjitëse dhe do të njoftojë opinionin për situatën nëpërmjet alternativave “online”. Po ashtu, në izolim për disa ditë ka deklaruar se do të qëndrojë edhe zv/kryeministri Bujar Osmani. Politikanë në të gjithë botën kanë qenë po ashtu të prekur nga pandemia.
Fatlume Dervishi
Loading…




