Kopeja e tij është zvogëluar ndjeshëm nga viti në vit. Nga mbi 300 dele sa kishte dikur, sot Abdini Adili, blegtor nga Tetova, ka mbetur me vetëm rreth 50 krerë. Ai thotë se ulja e numrit të bagëtive ka ardhur si pasojë e mungesës së përkrahjes institucionale dhe pamundësisë për t’u kujdesur i vetëm për një kope më të madhe.
“Kjo puna jonë është shumë e rëndë. Nga ana tjetër mua më kanë lind shqerrat, nuk kam pas problem ka pas rast edhe nga dy, shkaku se i kam ushqyer me drithëra, por për mua është turp të mbajë kaq pak kreeë, 50. Unë kam pas mbi 300 dhe ti kur do biesh nga 300 në 50 duhet të bësh llogari se qeveria s’të përkrahën dhe nga ministria nuk erdhën të na pyesin se a keni drith a ndonjë gjë”, tha Abedin Adili – blegtor.
Sipas Abedinit, vonesat apo mosdhënia e subvencioneve i lë blegtorët pa përkrahje financiare në periudhën më të vështirë të vitit.
“Për subvencione nuk janë të rregullt. Na injorojnë nuk janë të interesuar për blegtorinë, këta nuk na njohin neve si klasë punëtore si blegtorë. Një punëtor kushton 1500 euro që të qëndrojë në Sharr, kur do i marrim atijë do të ja japim”, u shpreh blegtori Abedin Adili.
Nga Ministria e Bujqësisë thonë se ndryshimet e bëra në vitin 2025, me heqjen e kushtit për dorëzimin e 50 për qind të qengjave, kanë rritur ndjeshëm numrin e aplikimeve për pagesa. Sipas tyre, kjo ka ndikuar në ngadalësimin e procesit të shqyrtimit dhe realizimit të subvencioneve.
“Aktualisht po bëjmë përpjekje që pagesat të realizohen sa më shpejt. Synimi ynë është që pagesa për dele të realizohet menjëherë pas përfundimit të pagesave për duhanin. Në periudhën në vazhdim do të realizohet edhe një pjesë e pagesave për qumështin, ndërsa sapo është publikuar edhe thirrja për atë që quhet “rroga e blegtorit”, thonë nga Ministria e Bujqësisë.
Në vitin 2024, blegtorët kishin obligim të dorëzonin 50 për qind të qengjave për të përfituar subvencione. Në vitin 2025 ky prag fillimisht u ul në 30 për qind, ndërsa më pas u hoq tërësisht si kusht. Si pasojë, numri i blegtorëve që aplikojnë për subvencione është rritur ndjeshëm.


