Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas kontrolleve nga Prokuroria e Posaçme dhe agjentët e BKH në banesën e tij, ku sekuestruan telefonin e Ajola Xoxës.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shprehet se “hetimi pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm që janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap.”
Kujtojmë se me vendim të GJKKO, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka marrë autorizimin dhe kërkonte të kontrollonte telefonin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Mësohet se agjentët e BKH shkuan në orët e para të mëngjesit në banesën ku jeton kryebashkiaku, pikërisht për të kontrolluar telefonin e bashkëshortes se tij. Bëhet me dije se nuk ka patur kontroll të banesës, por zbatim i vendimit të gjykatës për te këqyrur telefonin e bashkëshortes së Erion Veliajt.
Reagimi:
Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap.
U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta.
Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve.
Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale. Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumë vjeçare të mosndëshkueshmërisë.