Shumë të vogla janë gjasat që gjatë kësaj jave, në takimin e ministrave dhe atë të liderëve të vendeve anëtare të BE-së të hapet tema e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor dhe të miratohet korniza negociuese, ka thënë sot ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Ai ka përsëritur se të gjitha vendet anëtare dhe të gjithë deputetët e Parlamentit Evropian janë pro hapjes së negociatave dhe kjo sipas tij është një tregues se negociatat me Bullgarinë duhen të vazhdojnë për të hequr pengesën e fundit në këtë rrugëtim.
Bujar Osmani, ministër i jashtëm
“Maqedonia e Veriut ka kryer të gjitha detyrat e shtëpisë të kërkuara nga BE-ja dhe nëse ka pasur ndonjë dosje të pastër, e cila ka merituar fillimin e bisedimeve ka qenë RMV-ja. Por, kjo nuk duhet të na fut neve në një situatë dëshprimi, meqë rrugëtimi evropian, në parim, është rrugëtim i ngarkuar me shumë pengesa. Kemi pasur pengesa dhe do të kemi pengesa”.
Duke folur për veton bullgare, zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Nikolla Dimitrov, e ka cilësuar atë si një goditje të rëndë për politikat evropiane ndaj Ballkanit. Megjithatë, ai thotë se nuk duhet të biem në këtë kurth dhe të dëshpërohemi, por të punojnë për evropianizim.
Nikolla Dimitrov, zv kryeministër
“Kjo ështënjë goditje e madhe për politikën evropiane ndaj Ballkanit. Në radhë të parë për shkak se vendimi në mars për hapje të bisedimeve qasëse ishte i pakushtëzuar. E dyta, nga të gjitha anët vijnë zëra se ne e krytëm punën tonë dhe duhet të fillojmë negociatat qasëse. Duhet ta evitojmë kurthin, të biem në dëshpërim apo të hyjmë në ndonëj pritje të re që të mos shndërohet kjo edhe në një humbje tonën. Duhet të shfrytëzojmë kohën dhe të punojmë”.
Dimitrov ka thënë se në këtë periudhë do të vazhdojnë angazhimin dhe negociatat për të bindur Sofjen bullgare se nuk mundet që e drejta e vetëpërcaktimit të shndërohet në pengesë për rrugën tonë evropiane.




