Spikeri i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson, mbështeti planet për të ndaluar gratë transgjinore të përdorin tualetin e grave në ndërtesën e Kongresit.
“Gratë meritojnë hapësira që janë vetëm për to,” tha Johnson, duke shtuar se rregulli i ri do të zbatohet në të gjithë Capitol Hill.
Ky propozim ka ardhur pasi kolegia e tij republikançe, Nancy Mace, propozoi një ligj për të vendosur një ndalim të tillë pas zgjedhjes së Sarah McBride në Dhomën e Përfaqësuesve. McBride është personi i parë transgjinor i zgjedhur në Kongresin amerikan.
“Unë nuk isha zgjedhur për të luftuar për tualetët. Jam këtu për të luftuar për të gjithë banorët e Delaware dhe për të ulur kostot e jetesës. Ky është thjesht një shpërqendrim nga problemet reale me të cilat përballet vendi,” tha McBride, duke shtuar se do ta respektojë rregullin e ri, megjithëse nuk është dakord me të.
Rregulli i ri do të zbatohet për të gjitha hapësirat në Capitol që janë të dedikuara për një gjini, si dhomat e zhveshjes dhe tualetet.
“Kjo është për gratë dhe për të drejtat e tyre për privatësi. Nuk do të lejoj burra biologjikë të hyjnë në hapësira të grave,” tha Mace.