Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së pas protestës së sotme do të mblidhet për të vendosur nëse do të shtyhet ose jo kongresi i jashtëzakonshëm i kësaj partie. Ndonëse nga partia e Nikolla Gruevskit nuk konfirmojnë thirrjen e Komitetit, deputetët anëtarë të këtij organi njoftojnë se i njëjti është thirrur për sot në orën 19 në selinë e partisë. Thirrja e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv vjen një ditë para skadimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave për kryetar të kësaj partie, si dhe një ditë pas kërkesës së disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe themeluesve të partisë të cilët përmes letrës publike kërkuan anulimin e kongresit dhe zvogëlimin e numrit të delegatëve.
Ilija Dimovski, Trajko Veljanovski dhe Antonio Milloshovski, së bashku me dhjetëra kolegë të tyre deputet dhe anëtarë të VMRO-së, ditë më parë, pas konstatimeve që sipas tyre kanë ardhur nga analiza e deritanishme, kërkuan anulimin e kongresit të jashtëzakonshëm të caktuar për 22 dhe 23 dhjetor në Vallandovë, nën pretekstin se i njëjti nuk mund të sjell rezultate konkrete për afat kaq të shkurtër kohorë. Ata gjithashtu kërkuan që asnjëri nga kandidatët të mos shfrytëzojë të mirat e partisë në favor të tyre, si dhe të mos ushtrohet presion ndaj delegatëve.
Nga ana tjetër, dy kandidatët më të spikatur për pasardhës të Gruevskit, ish shefi i diplomacisë Nikolla Popovski dhe Hristijan Mickovski kanë siguruar firmat nga delegatët për të deponuar kandidaturat e tyre. Jashtë loje mbetet Filip Petrovski i cili përmes paraqitjeve të drejtpërdrejta në rrjetet sociale po akuzon Komitetin Ekzekutiv dhe bashkë-partiakët e tij për krijimin e parregullsive në procesin e organizimit të kongresit.
Në rast anulimi të kongresit të caktuar për fundjavën që vjen, Komiteti duhet të caktojë datë të re. Dimovski, Milloshovski dhe Veljanovski kërkojnë që kongresi të mbahet në fund të muajit shkurt. Ditë më parë, kryetari aktual i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski bëri thirrje për proces transparent në procesin e zgjedhjes së pasardhësit të tij. Nga ana tjetër, iniciativa për reforma në VMRO-DPMNE kanë njoftuar se nuk do të propozojnë kandidat për kreun e partisë.