Alsat 2019-10-02T17:34:48+02:00
Konfirmohen nga drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski, një pjesë e dyshimeve për anashkalim të procedurave ligjore gjatë përzgjedhjes së të punësuarve në ASK. Dimovski pohon se për shkak të pengesave fizike, të punësuarit nuk i janë nënshtruar testit të poligrafit dhe as integritetit, ashtu siç parashikonte ligji. Sipas tij, testi i poligrafit merr kohë kurse në vend nuk ekziston asnjë institucion që bën testin e integritetit. Akuzat për shkelje erdhën nga anëtari i komisionit të përzgjedhjes së të punësuarve, deputeti Trajçe Dimkov i cili një ditë më parë, pikërisht për këtë arsye u tërhoq nga këto kompetenca. Dimovski thotë se Dimkov ka nënshkruar se pajtohet me listën e të selektuarve.
Të gjitha vendimet e komisionit janë sjellë njëzëri edhe nën listën e kandidatëve të selektuar i kemi firmat e të gjithë anëtarëve të komisionit, përfshirë edhe dy deputetët, përfaqësues të komisionit parlamentar për monitorim. Gjatë punës së komisionit u konstatua se kishte pengesë që dy nene të ligjit të zbatohen plotësisht dhe në kohë. Njëra ka të bëjë me zbatimin e testit të integritetit dhe e dyta për zbatimin e testit të poligrafit. Duke pasur parasysh pamundësinë praktike që këto dy dispozita të zbatohet por që të njëjtat janë pjesë e punës së rregullt të Agjencisë për Siguri Kombëtare, komisioni vendosi që të rekomandojë që drejtuesit e agjencisë, zbatimin e këtyre aktivitetete ta ketë prioritet në periudhën e ardhshme- deklaroi Viktor Dimovski, drejtor i ASK-së.
Dimovski pranon edhe se, në kundërshtim me kriteret e thirrjes publike, në ASK janë pranuar persona me lidhje të ngushta familjare. Megjithatë, sipas tij, komisioni ka marrë vendim që këto të punësuar të mos shpërndahen në sektore të njëjtë në agjenci. Drejtori i ASK-së, mohon vetëm zërat për punësimin e personave me nënshtetësi të dyfishtë. Sipas tij, ish të punësuarit me përvojë pune për të cilat agjencia ka nevojë, do të duhet të heqin dorë nga nënshtetësia e dytë dhe të aplikojnë në thirrjet e ardhshme ndërkohë që do t’ju jepet përparësi për punësim. Ai shton se asnjë nga të përzgjedhurit nuk është pjesë e asnjë procedure hetimore nga organet e hetuesisë.
Në procesin e selektimit nuk kishte të paraqitur kandidatë ndaj të cilëve ndërmerren masa dhe ndaj të cilëve ka procedurë në organet kompetente shtetërore ose prokuroritë kompetente- tha Viktor Dimovski, drejtor i ASK-së.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së Trajço Dimkov, procesin e përzgjedhjes së të punësuarve në ASK e cilëson si subjektiv.
Për hirë të së vërtetës dhe për shkak se u vendosa në këtë institucion dhe me detyrimet që kam, unë duhet ta informoj opinionin se çafrë ndodh. Nuk futem në kualifikimet personale për individë të caktuar që përmenden dhe ndikimi i tyre partiak ose çfarëdo qoftë, ne duhet të themi se një pjesë e dispozitave ligjore nuk janë respektuar. Kam frikë se në pjesën e vlerësimeve ka pasur subjektivitet- shtoi Trajço Dimkov, deputet I VMRO-DPMNE-së.
Të punësuarit e ASK-së nuk kanë akoma as vendime pune dhe për këtë Dimovski thotë se procedura është në vijim dhe pritet miratimi i rishikimit të buxhetit të shtetit. ASK-ja është trashëgimtare e DSK-së por është institucion në vete, nën ombrellën e Qeverisë. Ajo ka marrë më shumë së gjysmën e të punësuarve në ish DSK.
Fatlume Dervishi
Loading…




