Në Londër po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, ku liderë të rajonit do të takohen me krerët e Bashkimit Evopian. Nga atje, në një panel të organizuar në kuadër të samitit, ministri i jashtëm Nikolla DImitrov tha se qeveria do të bëjë punën e saj dhe pret që qytetarët të bëjnë të veten në refernedum. Ai shtoi se edhe në të kaluarën, qytetarët e Maqedonisë kanë marrë vendimin e duhur për çështje madhore. Dimitrov tha se shpreson që opozita maqedonase të mendojë më shumë për vendin se sa për të ardhmen e tyre politike.
“Neve na mbetet që të bëjmë më të mirën tonë dhe shpresojmë që ajo do të jetë e mjaftueshme. Qytetarët e Maqedonisë kanë marrë vendime të mençura në të kaluarën kur janë përballur me udhëkryqe historike. Do ishte mirë që të kemi edhe një opozitë që mendon më shumë për vendin se sa për të ardhmen e tyre politike, por ndoshta të gjithë do të “rritemi” gjatë këtij procesi”, tha Nikolla Dimitrov – ministër i punëve të jashtme.
Komisioneri për zgjerim Johanes Han tha se në vitin e ardhshëm BE do të fokusohet në përgatitjen e vendit për fillimin e negociatave, ndërsa vendimi për integrim duhet të jetë vetëm i qytetarëve. Siç tha ai, referendumi do të shërbejë që qytetarët vet të vulosin të ardhmen e tyre, dhe BE nuk do të imponojë asgjë.
“Maqedonia ka marrë vendime të guximshme tani ne duhet ti mbështesim që këto arritje të jenë të qëndrueshme. Do të ketë referendum, dhe në fund të fundit e gjithë kjo duhet të shihet si një vendim i lirë i qytetarëve që të vendosin rreth të ardhmes së tyre. Ata nuk duhet të ndjejnë që ne po u imponojmë ndonjë gjë. Edhe sikur të dëshironim të fillojmë negociatat, nuk do të mundeshim nesër, sepse duhet të përgatisim vendin. Kjo është detyra jonë për vitin e ardhshëm, të përgatisim negociatat”, u shpreh Johanes Han – komisioner për zgjerim.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë punuar shumë në reforma dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe marrëveshjeve bilaterale, duke përfshirë Marrëveshjen me Bullgarinë dhe atë me Greqinë për emrin.
“Bashkimi Evropian ka vërejtur këtë punë dhe po i shoqëron në rrugën e tyre drejt eurointegrimit. Sot është një ditë e rëndësishme. E di që fokusi i mediave është diku tjetër, por mendoj se u kemi borxh miqve tanë në Ballkanin Perëndimor vëmendjen që e meritojnë dhe mbështetjen që e meritojnë. Siç na thonë të rinjtë e Ballkanit shpesh, atraktiviteti i BE-së është diçka shumë reale dhe e rëndësishme, dhe ndonjëherë kjo vërehet me mirë nga jashtë se sa nga brenda”, tha Frederika Mogerini – përfaqësuese e lartë e BE për politikë të jashtme.
Edhe ministri gjerman për Evropë, Mihael Rot para fillimit të Samitit tha se Samiti i Londrës edhe njëherë do të konfirmojë mbështetjen për zhvillimin e mëtutjeshëm të rajonit. Siç tha ai, nga ky samit do të dërgohet një sinjal i qartë që gjendja në Ballkan është shumë e rëndësishme për Bashkimin Evropian.
Përgatiti: Bajram Memeti