Konferencë shkencore ndërkombëtare mbi edukimin multikulturor,
02-04 Dhjetor 2020, Tetovë, Republika e Maqedonisë së Veriut
Formati: hibrid, online nëpërmjet aplikacionit zoom, me prezencë fizike në hapsirat e Universitetit të Evropës Juglindore, Tetovë.
Prej me datë 02 deri më 4 dhjetor 2020, Qendra për Bashkëpunim Ballkanik LOJA në partneritet me Universitetin “Sh. Kirili dhe Metodi’’ – Shkup, Universitetin e Tetovës, Universitetin e Evropës Juglindore – Tetovë, Universitetin “Goce Delcev” – Shtip dhe Universitetin “Shën Klementi i Ohrit” – Manastir organizojnë konferencë ndërkombëtare mbi edukimin multikulturor.
Për shkak të situatës aktuale të krijuar nga COVID-19, konferenca do të jetë në formatin hibrid, që nënkupton se konferenca do mund të ndiqet on-site, me prezencë fizike në hapsirat e Universitetit të Evropës Juglindore, Tetovë dhe online nëpërmjet platformës ZOOM.
Fjala e hapjes dhe fjalët përshëndetëse do të bëhen nga z. Bujar Luma, drejtori ekzekutiv i QBB LOJA, z. Abdylmenaf Bexheti – Rektor i UEJL, shkëlqesia e saj znj. Anke Holstein, ambasadorja gjermane në RMV, e ndjekur nga folësit kryesorë znj. Anja Petz – drejtore e organizatës Kurve Wustrow – Centre for Training and Networking in Nonviolent Action, znj. Gudrun Steinacker – diplomate dhe ish ambasadore gjermane në RMV si dhe fjalimi kryesor nga z. Krzystof Czyzewski – shkrimtar dhe filozof nga Polonia.
Gjatë konferencës, do të prezentohen 18 abstrakte shkencore nga shumë abstrakte që u dërguan nga vende të ndryshme të botës. Pjesa tjetër e abstrakteve do të jetë në dispozicion për audiencën e gjerë në librin e punimeve (book of proceedings).
Qëllimi i kësaj konference është të eksploroj mënyrat në të cilat funksionon arsimi multikulturor në kontekste të tjera, të krijojë një platformë ku zhvillimet e fundit midis studiuesve mund të diskutohen dhe t’ju jap një shtytje akademikëve, studiuesve, praktikuesve dhe studentëve për të ndarë praktikat e tyre më të mira dhe mësimet e marra për këtë temë.
Konferenca jonë kërkon të eksplorojë rrugë të ndryshme lidhur me promovimin e filozofisë së drejtësisë sociale, barazisë dhe inkluzionit, të eksplorojë praktikat dhe përvojat mbi arsimin multikulturor. E lartëson larminë kulturore dhe etnike si një forcë kombëtare që e pasuron strukturën e shoqërisë. Ka për qëllim fasilitimin e një debati dhe platforme multi-disiplinore mes studiuesve që i shqyrtojnë zhvillimet e fundit.