Në Shkup sot do të mbahet konferencë me rastin e përfundimit të projektit të USAID-it “Me lexim deri në lidership” ku do të prezantohen arritjet kryesore nga zbatimi pesëvjeçar i aktiviteteve projektuese.
Në ngjarje do të kenë fjalime përfaqësuesi i USAID-it në Maqedoni, Dejvid Ateberi dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska.
Do të ekspozohen edhe produkte nga mësimdhënësit si pjesëmarrës në projekt, siç janë portofolet mësimdhënëse, postera dhe libra të ilustruara të punuara me dorë.
Projekti i USAID-it “Me lexim deri në lidership” ka për qëllim ta vlerësojë dhe përmirësojë shkrim-leximin e hershëm gjuhësor dhe matematikor, t’i përmirësojë aftësitë pedagogjike të mësimdhënësve dhe ta informojë tërë opinionin si aftësitë për lexim dhe matematikë kontribuojnë për zhvillimin intelektual të nxënësve.
Fondacioni për iniciativa arsimore dhe kulturore “Hap pas hapi” – Maqedoni e zbaton këtë projekt. Projekti ofron qasje inovative, siç janë Biblioteka në rrota dhe përmbledhje e resurseve për mësim në formë të shtypit dhe digjitale. Mjetet për vlerësim të shkrim-leximit të hershëm dhe matematikor (EGRA dhe EGMA) të cilat janë zhvilluar nga ana e USAID-it, në kuadër të këtij projekti adaptohen në gjuhët lokale dhe shfrytëzohen në shkollat fillore.

