Era e fuqishme dhe stuhia që mbrëmë përfshinë Shkupin shkaktuan disa probleme, përfshirë rrëzimin e drunjve në rrugë dhe hapësira publike, si dhe këputjen e një kablloje elektrike, transmeton aktuale.mk.
Nga Komuna e Karposhit konfirmuan se gjatë njërit prej incidenteve është lënduar një qytetare, së cilës i është ofruar ndihma e nevojshme.
“Përmes shërbimeve kompetente po e ndjekim situatën dhe gjendjen e saj shëndetësore”, njoftuan nga komuna.
Ekipet e Komunës së Karposhit dolën menjëherë në terren dhe intervenuan në rrugët “Jurij Gagarin” dhe “Dragisha Mishoviq”, si dhe në sheshin “Delfina”, ku i larguan drunjtë e rrëzuar.
Në rrugën “Kairska”, numër 43, u hoq edhe kablloja e këputur, me çka u eliminua rreziku i mundshëm, njoftoi shërbimi për shtyp i Komunës së Karposhit.
Sipas komunës, aktualisht nuk ekziston më rrezik për qytetarët dhe të gjitha lokacionet kritike janë pastruar. Shërbimet komunale vazhdojnë të jenë në terren dhe janë të gatshme të intervenojnë aty ku paraqitet nevoja.



