Ndërmarrja komunale publike “Standardi” në Dibër, vazhdon të ballafaqohet me problemin e mospagesës së kontributeve nga viti 2002 deri në vitin 2014 për punëtorët e saj. Këta borxhe drejtpërdrejt shkaktojnë probleme sidomos për punëtorët të cilët dalin në pension dhe nuk gëzojnë të drejtat e tyre që u takojnë me ligj. Ky problem i cili u la shumë pasoja në të kaluarën, shumë punëtorëve që dolën në pension tani do të tejkalohet me një angazhim dhe vendim të pushtetit vendor. Komuna Dibër do t’i paguaj borxhet për kontribut për punëtorët të cilët do të dalin në pension.
Kryetari i Dibrës Hekuran Duka, për gazetën KOHA ka deklaruar se pushteti vendor duke parë situatën e krijuar, ka vendosur që për të gjithë punëtorët në ndërmarrjen komunale të cilët dalin në pension gjatë këtij viti, paraprakisht do të bëjë pagesën e borxheve për kontributet për pension. Duka sqaron se deri tani shumë punëtorë që kanë dal në pension nuk i gëzojnë të drejtat meqë borxhet ndaj Fondit Pensional dhe invalidorë janë prezent.
“Ne si pushtet vendor kemi vendosur që borxhet për kontributet e ngelura të papaguara për pension, t’i paguajmë për ata që dalin në pension. Është një vendim njerëzor, moral dhe ligjor, me qëllim që ata që dalin në pension të marrin pensionet që u takojnë. Besojmë se ky vendim është një vendim korrekt dhe objektiv”, thotë kryetari Hekuran Duka.
Kur jemi tek ndërmarrja në fjalë, të dhënat thonë se borxhet për 12 vitet të papaguara për kontributet për pensione janë mbi 2 milionë euro. Këtë e pohon edhe drejtori i kësaj ndërmarrje, Burim Kaba. Ai poashtu për gazetën KOHA informon se bëhen angazhime të ndryshme si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qëndror që të gjinden mjete për mbulimin e “gropës” nga viti 2002 deri në vitin 2014 kur udhëheqësit e atëhershëm komunal kanë ndarë rroga pa i paguar kontributet.
Vendimi për t’i paguar kontributet nga pushteti vendor për ata që dalin në pensione është mirëpritur nga ana e të punësuarve në ndërmarrjen komunale. Përfaqësuesit të punëtorëve në këtë ndërmarrje thonë se shumë punëtor që dolën në pension gjatë viteve të kaluara janë “djegur” meqë tani marrin pensione minimale edhe pse kanë punuar 40 vite në ndërmarrjen komunale. Kur jemi tek të punësuarit, vitet të fundit, siç thotë kryetari Hekuran Duka, ata gëzojnë të drejtën e shëndetësisë duke bërë marrëveshje të ndryshme me institucionet. Më parë punëtorët e kësaj ndërmarrje komunale nuk kanë gëzuar as të drejtën që u takon me ligj në mbrojtjen e shëndeti të tyre. Para një dekade pati raste kur të punësuar kishin nevojë për intervenime kirurgjike dhe ata shërbime i paguanin familjet e tyre. Dibranët jo sot por edhe në të kaluarën u japin përkrahje të plotë të punësuarve në ndërmarrjen komunale që edhe ata të gëzojnë të drejtat ligjore, meqë në këtë ndërmarrje janë bërë diskriminime në të kaluarën. (koha.mk)