Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për disbursimin e kompensimit të karburantit për muajt mars, prill dhe maj 2026.
Në një letër drejtuar ministrive përgjegjëse dhe Bashkisë Tiranë, shoqatat ngrenë shqetësimin se, pavarësisht plotësimit të dokumentacionit, operatorët ende nuk kanë përfituar kompensimin financiar të miratuar nga qeveria.
Vendimi parashikon 50 lekë kompensim për çdo litër karburant të konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj. Operatorët deklarojnë se kanë përmbushur të gjitha detyrimet dhe dokumentacionin e kërkuar, por pagesat për këta tre muaj ende nuk janë disbursuar.
Sipas shoqatave, vonesa po krijon vështirësi të konsiderueshme në administrimin financiar të operatorëve, të cilët kanë vijuar të përballojnë me fondet e tyre kostot e aktivitetit dhe të garantojnë shërbimin e transportit publik.
Situata rëndohet edhe nga fakti se çmimet e karburantit vijojnë të jenë të larta, duke rritur kostot operative dhe duke krijuar mungesë likuiditeti për operatorët.
Për këtë arsye, shoqatat kërkojnë disbursimin e menjëhershëm të kompensimit për mars, prill dhe maj, si dhe vijimin e skemës së mbështetjes financiare edhe pas muajit maj, për sa kohë që çmimet e karburantit mbeten të larta.
Operatorët kërkojnë gjithashtu informacion zyrtar mbi arsyet e vonesës dhe një afat konkret për realizimin e pagesave.
Në letër paralajmërohet se, nëse nuk ka një reagim konkret nga institucionet, operatorët mund të detyrohen të rishikojnë numrin e mjeteve që nxjerrin në qarkullim, gjë që mund të ndikojë në frekuencën dhe kapacitetin e transportit publik.



