Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi mund të padisë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, pasi kjo ministri nuk i ka siguruar të gjitha tekstet e nevojshme para fillimit të vitit të ri shkollor. Tekstet shollore mungojnë nga klasa e tretë dhe e gjashtë, ndërsa nga MASh në fillim të vitit shkollor kanë thënë se po bëjnë përpjekje që tekstet që mungojnë të shpërndahen me kohë, transmeton Portalb.mk.
Nga Komisioni Kundër Diskriminimit thonë se kanë të drejtë të padisin Ministrinë e Arsimit, por këtë të drejtë e kanë edhe prindërit e nxënësve.
“Çdo njeri ka të drejtë të kërkojë mbrojtje nëse ndihet i cenuar në të drejtën e tij të garantuar me kushtetutë për barazi. Një peticion i tillë mund t’i dorëzohet Komisionit tonë dhe Avokatit të Popullit dhe natyrisht edhe gjykatës më të lartë”, tha dje Vesna Bendevska, kryetare e Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi.
Derisa të mbërrijnë tekstet e reja, nxënësit do të ndjekin mësimin me materialet ndihmëse të përgatitura nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit. Ndryshe, nxënësit e klasave të para, të dyta, të treta, të katërta dhe të pesta në fillim të vitit të ri shkollor morën tekste të reja në të gjitha lëndët.
Përndryshe, tekstet për klasat e katërta, të pesta dhe të gjashta do të jenë edhe në formë digjitale
Të gjitha tekstet nga klasat e katërta dhe sipër në arsimin fillor do të marrin version digjital, ndërsa procesi i digjitalizimit do të zhvillohet në faza.
“Këtë vit po punohet për digjitalizimin e teksteve për klasat e katërta, të pesta dhe të gjashta. Ata do t’i bashkëngjiten një portal të posaçëm që është në proces zhvillimi dhe nxënësit dhe mësuesit me një klikim të thjeshtë do të mund t’i shkarkojnë dhe nëse e kanë më të lehtë të mësojnë nga këto tekste digjitale”, thanë nga MASh.



