Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, ka deklaruar sot se po ndjekin zhvillimet e fundit në vend që kanë të bëjnë me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare dhe zhvillimeve në Komisionin Shtetëror Zgjedhor në Maqedoni. Në një deklaratë për TV SHENJA mediat, Kocijançiq tha se ajo për të cilën Komisioni ka shprehur shqetësim është retorika negative dhe tensionet e ditëve të fundit.
“KE ka ndjekur rezultatet preliminare dhe vendimet pas ankimimeve dhe tani i pret përgjigjet e ankesave. Institucionet relevante shtetërore, përfshirë këtu edhe Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe gjykatat, duhet të punojnë pandërprerë, pa presione dhe ndërhyrje politike. Jemi të shqetësuar për shkak të tensioneve të ditëve të fundit, si dhe për shkak të retorikës negative. Komisioni u bënë thirrje të gjitha paleve të përfshira të sillen me përgjegjësi dhe të kontribuojnë për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore dhe proceset demokratike”, ka thënë Kopcijançiq.
Komisioni Evropian edhe një herë ka porositur Maqedoninë që të angazhohet sa më shpejtë për zbatimin e reformave të rekomanduara si dhe për implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara.
“Me padurim presim formimin e Kunvendit dhe Qeverisë së re dhe zbatimin e reformave për sundimin sistematik të së drejtës, po ashtu edhe të reformave urgjente prioritare. Bëjmë thirrje për implementim të vazhdueshëm të marrëveshjeve të kaluara politike. Komisioni do të vazhdojë përkrahjen e vendit në procesin e integrimit evropian”, ka thënë më tej Kociajançiq.
Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit skena politike në Maqedoni u përball me një situatë të tensionuar. Komisioni Shtetëror Zgjedhor gjatë shqyrtimit të ankimimeve të Lëvizjes Besa dhe LSDM-së për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare u përball me tensione nga ana e partisë politike VMRO DPMNE. Kjo e fundit madje disa ditë me radhë mbajti edhe protesta jashtë objektit të KSHZ gjatë periudhës kur mbaheshin seancat. Kreu i saj, Nikolla Gruevski, gjatë fjalimeve të tij të mbajtur në këto protesta drejtonte fyerje antishqipare dhe antiperëndimore.
Teuta Buçi /SHENJA/
Komisioni Evropian i shqetësuar për retorikën… by tvshenjaofficial