Rivotimi në Gostivar do të bëjë edhe më të paqartë formimin e Qeverisë së ardhshme dhe vetë koalicionet mes partive që fituan mandate në zgjedhjet e 11 dhjetorit, raporton SHENJA.
Me këtë do të rritet edhe më shumë nevoja për formimin e një koalicioni të zgjeruar mes katër partive që morën më shumë deputet në Kuvend, VMRO, LSDM, BDI dhe BESA. Nëse edhe gjykata administrative konfirmon vendimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe vendos për të përsëritur votimet në vendvotimin 0396/1 në Gostivar, LSDM-së do t’i mjaftojnë 307 vota për t’i marrë një deputet VMRO-DPMNE-së me çka do të barazohej numri i mandateve me nga 50 për secilën parti. Në këtë situatë 10 deputetët e BDI-së do të jenë të pamjaftueshme si për VMRO-në ashtu edhe për LSDM-në, pasi për të votuar Qeverinë e re do t’ju mungojë edhe një deputet. Në këtë situatë qoftë VMRO, qoftë LSDM, përveç BDI-së do të duhet të përfshijnë në koalicion edhe një parti ose koalicion tjetër shqiptarë. Me PDSH-në koalicioni do të ketë 62 deputet, ndërsa me Aleancën për Shqiptarët 63. Por ky numër është në limitin e nevojshëm dhe për funksionimin e koalicionit në Kuvend do të nevojitet prezenca e të gjithë deputetëve në secilën seancë. Mungesa eventuale e dy ose tre deputetëve do të bënte të pamundur miratimin e ligjeve. Por në këtë koalicion, Kuvendi nuk do të mund të miratojë asnjë ligj për të cilin nevojitet shumica e dy të tretave të deputetëve, apo 81 deputet. Në këtë situatë një Qeveri dhe një shumicë stabile që do të mund të miratonte edhe reformat e nevojshme, do të ishte vetëm një koalicion i zgjeruar mes VMRO-së, LSDM-së, BDI-së dhe koalicionit “Rilindje me Besë”, të cilët bashkërisht do të përbënin 115 deputet që përbën një shumicë absolute dhe të mjaftueshme edhe për ndryshime kushtetuese. Në rast se rivotimi në Gostivar nuk ndryshon numrat e mandateve atëherë LSDM nuk mund të shpresojë në asnjë kombinim, ndërsa VMRO-DPMNE mund të formojë koalicion jo stabil. Me 51 deputetët e tyre dhe 10 deputetët e BDI-së, koalicioni i deritanishëm do të ishte poashtu në kufirin e 61 deputetëve që edhe më shumë obligon prezencën e të gjithë deputetëve dhe nuk lejon as edhe një mungesë të vetme të deputetëve në seancë. Në këtë koalicion, duke u nisur nga deklaratat e mëparshme të liderëve të partive shqiptare, bëhet edhe më e vështirë mundësia për të siguruar partnerin e tretë të koalicionit.
Arben Zeqiri /SHENJA/