Kodra e Diellit sivjet po e fillon sezonin turistik me probleme dhe pengesa të shumta. Drejtori i Kodrës së Diellit thotë se po bëjnë të pamundurën për të aktivizuar ski liftat në kohë, edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka pasur kontroll të kryer nga Fakulteti i makinerisë, ndërsa të shumta kanë qenë edhe pjesët që është dashur të ndërrohen. Kapacitetet hotelerike deri më tani nuk janë të hapur, ndërsa tek nga muaji i ardhshëm, mund të vihet në funksion vetëm hoteli Sllavija.
“Si udhëheqësi e re jemi përballur me shumë probleme, si nga ana teknike edhe ajo materiale e shumë të tjera. Siç është përpunimi i ski ashensorëve por edhe pranimi teknik i tyre. Asnjëri ashensor nuk kishte kontroll për gatishmërinë e punës, por gjatë kësaj periudhe kemi punuar gjithë dhe i eliminuam këto probleme. E patëm edhe defektin në liftin me gjashtë ulëse që sot është eliminuar dhe është kthyer në gjendje pune dhe ski liftat tjerë tashmë po kontrollohen, dhe shpejtë në bazë të kushteve atmosferike të bëjmë edhe lëshimin e qendrës”, tha Gani Aliji, drejtor i Kodrës së Diellit.
Dhe sikur këto probleme të mos mjaftojnë, me qëllim është dëmtuar edhe gjashtë ulësja, konkretisht është vjedhur një kompresor i gjashtë ulëses që e vë atë në lëvizje. Në njërën anë po bëhen hetime se kush e ka bërë këtë, e në anën tjetër, drejtoria e kodrës së Diellit ka gjetur kompresorin e ri dhe ka instaluar të njëjtin me qëllim që sezoni të nis në kohë nëse do kemi të reshura bore dhe temperatura në minus.
“Ne erdhën në muajin nëntor si udhëheqësi e re, sa është vjedhur apo është marrë, ne konstatuam mungesën e kompresorit tek gjashtë ulësja lartë. Ajo mund të jetë bërë edhe gjatë periudhës së verës që duhet të shihen nga kanë ardhur”, shtoi Gani Aliji, drejtor i Kodrës së Diellit.
Kërkuam qendrim edhe nga inspektorati që kujdeset për monitorimin e ski liftave, që ditë më parë kanë kryer kontrolle pas intervenimeve të bëra nga punëtorët e Kodrës së Diellit.
“Ski liftët janë inspektuar nga trupat inspektues dhe kanë merrë certifikatën pozitive. Përveç Inspektoratit Shtetëror për Energjetikë ski liftet kontrollohen edhe nga Ministria e Transportit”, thanë nga Inspektorati Shtetëror për Energjetikë.
Por edhe përkundër kushteve të këqija në të cilat është lënë Kodra e Diellit, sipas drejtorit Aliji, po bëhen përpjekje maksimale që gjatë javës së ardhshme, të vihen gjitha kapacitetet e ski liftave në funksion dhe në rast të reshjeve të reja të borës të hapet edhe sezoni turistik për këtë vit./Alsat.mk