Nga ana tjetër në Maqedoni janë konstatuar parregullsi serioze në grupin Alfapharm, në ruajtjen, etiketimin, sigurinë dhe video mbikëqyrjen. Dyshimet janë se në këtë mënyrë marihuana mjekësore e ligjshme u bë marihuanë e paligjshme për kontrabandë, e cila është 4 deri në 5 herë më e shtrenjtë se kanabisi i shitur ligjërisht për vajra farmaceutikë dhe terapi me kanabis. Një gram marihuanë në rrugë, çmimi nëMaqedoni është 500 denarë, ndërsa një gram lule për shitje mjekësore të ligjshme shitet për një euro e gjysmë, e në rastet më të mira deri në 2 euro për gram. Hetimi në Maqedoni tani po ndjek rrugën e vështirë – si t’i shndërrojë dyshimet në prova për krimet më të rënda, përndryshe sekuestrimi do të mbetet vetëm një shkelje e rregullave të rrepta për kultivimin e marihuanës mjekësore.
Ndryshe, së fundmi u zhvillua aksioni i madh i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në Maqedoninë e Veriut për sekuestrimin e mbi 40 ton marihuanë nga disa persona juridikë në vend. Aksioni filloi pas sekuestrimit të 5 ton marihuanë në Serbinë fqinje, të cilën mediat lokale raportuan se kishte origjinë nga Maqedonia.
Ministria e Punëve të Brendshme më 7 shkurt, informoi se është duke u zhvilluar një aksion në shkallë të gjerë, në kuadër të të cilit është sekuestruar një sasi e madhe marihuane.


