Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, ka deklaruar sot se zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti, janë pjesë e pritjeve që Brukseli i ka për zbatimin e reformave në Maqedoni. Duke i’u përgjigjur pyetjes së parashtruar rreth akuzave të opozitës maqedonase drejtuar pushtetit se po përgatit mashtrim zgjedhor përmes keqpërdorimit të kompetencave shtetërore, ajo ka thënë se BE pret që Maqedonia të zbatojë reformat e rekomanduara, ndërsa në to përfshihen edhe zgjedhjet.
MAJA KOCIJANÇIQ, ZËDHËNËSE E KE-SË
“Ne mbështesim përpjekjet për reforma dhe ajo dukshëm përfshin pritjet sa i përket zgjedhjeve të ardhshme dhe përgjithësisht rrugës së avancimit kur bëhet fjalë për refromat të cilat janë nënvizuar shumë qartë”.
Ajo më tej ka shtuar se partitë politike duhet të bashkëpunojnë mes vete dhe të punojnë në drejtim të kthimit të vendit në rrugën e eurointegrimeve.
MAJA KOCIJANÇIQ, ZËDHËNËSE E KE-SË
“Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se çfarë presim kur bëhet fjalë për Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Ju keni qenë të paralajmëruar shumë qartë se ne presim që Qeveria e re së bashku me opozitën duhet t’i lënë ndarjet anash dhe të punojnë bashkarisht në zbatimin e reformave urgjente prioritare dhe Marrëveshjen e Përzhinos për të kthyer vendin në rrugën e integrimeve euro-atlantike”.
Reformat e rekomanduara nga BE-ja janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë evropiane të vendit. Zbatimi i tyre lehtëson rrugën e integrimeve euro-atlantike të vendit, e cila për një periudhë ka qenë e bllokuar për shkak të krizës së fundit politike në vend, por edhe për shkak të çështjeve të hapura me vendet fqinje. Teuta Buçi /SHENJA/

