Kryeprokurori i shtetit, Lupço Koçevski, në një konferencë për media ka treguar se Prokuroria ka hap hetimin ndaj 27 personave, në lidhje me tragjedinë e Koçanit, shkruan Alsat.
Hetimet për tragjedinë në klubin e natës “Puls” në Koçan deri më tani kanë përfshirë gjithsej 34 persona fizikë dhe tre persona juridik dhe të gjithë janë siguruar nga policia, njoftoi sot kryeprokurori publik, Ljupço Kocevski.
“Të gjithë të dyshuarit në periudhën nga viti 2012 deri më 16 mars 2025 bashkërisht, por secili për nga kapaciteti, kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre, nuk kanë vepruar fare në përputhje me rregulloret për masat mbrojtëse dhe me këtë kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve dhe pronën në përmasa të mëdha”, tha Kocevski.
Sipas tij zinxhiri i gabimeve të personave përgjegjës ka sjellë shpërthimin e zjarrit si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike.
“Nëse sigurohen prova, hetimi do të përfshijë edhe persona të tjerë të paidentifikuar aktualisht”, tha Kocevski duke shtuar se tre nga të dyshuarit figurojnë si persona përgjegjës, bashkëpronarë apo menaxherë në subjektin juridik, filial i të cilit ishte klubi “Puls”. Hapësira ishte e destinuar për industrinë e lehtë dhe nuk i plotësonte kërkesat për qëllime tjera.
“Objekti i destinuar për industrinë e lehtë, i cili ndodhej në një zonë industriale, nuk i plotësonte kushtet për t’u shndërruar në objekt hotelierie, kabare, në pajtim me ligjin për veprimtari hoteliere, por në vazhdimësi, gjatë gjithë periudhës, të dyshuarit kanë marrë licencë, në mënyrë të kundërligjshme dhe kanë organizuar shërbime hoteliere”, tha Kocevski.