Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, mbrëmë në Koçan është takuar me personat e lënduar nga zjarri në kabarenë “Pulse”, me të cilët ka diskutuar për gjendjen e tyre shëndetësore dhe kujdesin e mëtejshëm që u nevojitet për t’u rikuperuar nga pasojat e tragjedisë së vitit të kaluar.
Klekovski bëri të ditur për takimin përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, ku theksoi se shteti është i gatshëm t’i mbështesë të lënduarit në një proces afatgjatë.
“Paralajmërova mundësitë dhe hapat e ardhshëm”, deklaroi ministri.
Në takim morën pjesë edhe doktoresha Katerina Mirçovska dhe doktoresha Gordana Georgieva, pjesë e grupit të punës së Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ka për detyrë të bëjë vlerësimin, këshillimin, organizimin dhe ndjekjen e trajtimeve për secilin pacient.
“Kjo është baza për kujdes të mëtejshëm, të përshtatur sipas nevojave të secilit prej tyre”, theksoi Klekovski, duke shtuar se në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Koçanit, Vladko Grozdanov.
Takimin, ministri e kishte paralajmëruar javën e kaluar. Ai vjen pas vizitave të Klekovskit në Beograd dhe Sofje, ku, sipas deklaratës së tij, janë zhvilluar konsultime me autoritetet shëndetësore të dy vendeve fqinje për përcaktimin e detajeve lidhur me trajtimin e mëtejshëm të disa prej të lënduarve nga tragjedia në “Pulse”.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura hollësi konkrete se çfarë është dakorduar gjatë këtyre konsultimeve.
Në zjarrin që shpërtheu më 16 mars 2025 në kabarenë “Pulse” në Koçan, u lënduan më shumë se 200 persona.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi dje se Klekovski dhe homologja e tij bullgare, Katja Ivkova, kanë nënshkruar Planin e Bashkëpunimit ndërmjet ministrive të shëndetësisë të dy vendeve për periudhën 2026–2028.
Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë kujdesin shëndetësor parësor dhe të specializuar, kujdesin spitalor, parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse dhe jongjitëse, mbikëqyrjen epidemiologjike, statistikën mjekësore, organizimin e reagimit shëndetësor në situata emergjente dhe shëndetësinë elektronike.
Nga Ministria theksojnë se plani paraqet një hap shtesë në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit institucional, me synim shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të mira, si dhe përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në shërbimet shëndetësore për qytetarët.
Gjatë vizitës në Sofje, Klekovski dhe homologja e tij bullgare vizituan edhe Klinikën Universitare Obstetrike-Gjinekologjike “Mајчин дом”, ku u pritën nga drejtori, prof. dr. Ivan Kostov.
Sipas ministrit, bëhet fjalë për klinikën më të madhe obstetrike-gjinekologjike në Bullgari, ku kryhen rreth 4.000 lindje dhe rreth 10.000 ndërhyrje gjinekologjike në vit. Klinika ka gjithashtu repartin më të madh për foshnjat e lindura para kohe dhe dhjetë salla operacioni.
Klekovski bëri të ditur se gjatë vizitës u diskutua për diagnostikimin prenatal, skriningun neonatal, urogjinekologjinë, kirurgjinë gjinekologjike robotike dhe onkogjinekologjinë, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në neonatologji dhe kirurgjinë robotike.



