Në një konferencë për media, Art Zylbeari, kryetar i Forumit Rinor të BDI-së, dega Tetovë, kritikoi ashpër veprimet e qeverisë së Maqedonisë së Veriut ndaj mediave dhe gazetarëve.
“Qeveria po dështon vazhdimisht për krijimin e një ambienti të përshtatshëm për punën e gazetarëve dhe mediave. Kjo qeveri nuk është e aftë të garantojë një prej parimeve themelore të demokracisë – lirinë e medias”, tha Zylbeari.
Ai theksoi se rasti i fundit, kur një gazetari i tentua marrja e telefonit personal nga policia pa vendim të prokurorit për interesa personale dhe klanore të partisë në pushtet, përbën “shkelje flagrante të të drejtave themelore që gëzon media dhe gazetarët”.
Sipas Zylbearit, pozita e Maqedonisë së Veriut në raportin e “Reporters Without Borders” tregon përkeqësim, duke rënë nga vendi i 36-të në vitin 2024 në vendin e 42-të në vitin 2025. Ai shtoi:
“Ky është një alarm i qartë për drejtimin e gabuar që ka marrë shteti. Aspirata për integrim në BE nuk jetësohet në këtë mënyrë. Vlerat evropiane dhe perëndimore na mësojnë se liria e fjalës është vlera themelore e ndërtimit të shoqërisë dhe përparimit të shtetit.”
Zylbeari nënvizoi gjithashtu se:
“Gazetarët nuk janë armiq të shtetit, por mbrojtës të interesit publik. Çdo shkelje e të drejtave, kërcënim, shantazh apo presion ndaj tyre tregon vetëm frikën e pushtetit nga e vërteta. Shoqëria demokratike nuk ndërtohet vetëm me fjalë të bukura, por duke e respektuar fjalën e lirë, gazetarët dhe të gjithë punëtorët mediatik.”
Ai bëri thirrje për reagim ndërkombëtar:
“U bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, BE-së, OSBE-së dhe organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut që të reagojnë ndaj represionit që po u bëhet mediave dhe gazetarëve në Maqedoni të Veriut”, përfundoi kryetari i Forumit Rinor të BDI-së, dega Tetovë.