Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos keqpërdorin vizat turistike, duke theksuar në mënyrë të veçantë ndalimin e udhëtimeve në SHBA për të lindur fëmijë.
Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, ambasada sqaron se përdorimi i vizës turistike për të lindur në SHBA njihet si “turizëm i lindjes” dhe do të refuzohet nga oficerët konsullorë.
“Kjo është e papranueshme,” shkruan ambasada, duke paralajmëruar se nëse një vizë turistike keqpërdoret për këtë qëllim, qytetarët mund të humbasin të drejtën për vizë apo për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Është e papranueshme që prindër të huaj të përdorin një vizë turistike amerikane me qëllimin parësor për të lindur në Shtetet e Bashkuara që të sigurojnë nënshtetësinë për fëmijën, çka mund të përfshijë edhe shpenzime për kujdesin mjekësor që mbulohen nga taksapaguesit amerikanë. Ky njihet si “turizmi i lindjes” dhe oficerët konsullorë të ShBA refuzojnë të gjitha aplikimet për viza të tilla sipas ligjit të emigracionit të ShBA. Ata që keqpërdorin sistemin tonë të emigracionit përmes turizmit të lindjes mund të humbasin të drejtën për viza në të ardhmen ose për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara. Kjo është një mënyrë më shumë se si Departamenti Amerikan i Shtetit po u shërben dhe mbron taksapaguesit dhe komunitetet amerikane”, thote ambasada.