Nga 1 korriku, Irlanda merr për gjashtë muaj Presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, duke vendosur në qendër të axhendës së saj forcimin e ekonomisë evropiane, mbrojtjen e demokracisë dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve. Në një artikull të posaçëm për gazetën “Panorama”, Kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, shpalos prioritetet e presidencës irlandeze, duke theksuar se BE duhet të jetë më konkurrues, më i bashkuar dhe më i përgatitur për t’u përballur me sfidat globale.
Ai nënvizon se objektivi i presidencës është që politikat evropiane të sjellin përfitime konkrete në jetën e përditshme të qytetarëve, duke investuar në rritjen ekonomike, sigurinë energjetike e kibernetike, mbështetjen për Ukrainën, zgjerimin e BE-së dhe mbrojtjen e vlerave themelore mbi të cilat është ndërtuar projekti evropian.
NGA MICHEÁL MARTIN
KRYEMINISTRI I IRLANDËS
Kur Irlanda të marrë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian më 1 korrik për herë të tetë, do të kemi një rol qendror në formësimin e vendimeve që ndikojnë në jetën e çdo qytetari në mbarë Bashkimin Evropian. Programi i Presidencës sonë synon të sjellë përmirësime të prekshme në jetën e përditshme të qytetarëve evropianë. Ne do të punojmë për ta bërë ekonominë e Evropës më konkurruese, qytetarët e saj më të sigurt, si dhe do të mbrojmë vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian: lirinë, demokracinë, barazinë, shtetin e së drejtës, si dhe respektin për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut.
Shtylla e parë, që përbën thelbin e programit të Presidencës irlandeze, është përqendrimi te rritja e konkurrueshmërisë së Evropës. Kjo nënkupton punën për të mbështetur bizneset që të rriten dhe të kenë sukses, të krijojnë vende pune cilësore dhe të ulin kostot për konsumatorët.
Presidenca irlandeze do t’i japë përparësi zbatimit të udhërrëfyesit të miratuar të Bashkimit Evropian “Një Evropë, një treg”, në të pesë shtyllat e tij: thjeshtimi i rregullave, një treg i përbashkët më i integruar, nxitja e një tregtie të fortë, ulja e çmimeve të energjisë dhe dekarbonizimi, si dhe nxitja e transformimit digjital dhe të inteligjencës artificiale. Por çfarë do të thotë kjo në praktikë? Përpjekjet për të thelluar Tregun e Përbashkët dhe për të ulur kompleksitetin rregullator mund të heqin pengesat që aktualisht rrisin çmimin e mallrave dhe shërbimeve në mbarë Evropën. Bizneset – veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme – përfitojnë nga rregulla më të thjeshta dhe nga tregtia më e lehtë ndërkufitare, gjë që, nga ana tjetër, mbështet punësimin dhe rritjen ekonomike vendore. Marrëveshje më të shumta të tregtisë së lirë hapin tregje të reja për bizneset tona dhe mundësi për investime. Për familjet, kjo mund të përkthehet në mallra bazë më të përballueshme, qasje më të mirë në shërbime dhe një qëndrueshmëri ekonomike më të madhe në kohë pasigurie globale. Në një kohë kur kostot në rritje të jetesës po dëmtojnë shumë familje, kjo është e rëndësishme.
Shtylla e dytë e Presidencës — vlerat — përqendrohet te mbështetja e demokracisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut, të cilat përbëjnë themelin e cilësisë së jetës në Evropë.
Kjo sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, duke përfshirë mbrojtje më të fortë të konsumatorëve, të drejtave themelore dhe mbrojtje ligjore në të gjitha tregjet e BE-së.
Në një kohë kur dezinformimi, regresi demokratik dhe transformimi teknologjik i shpejtë paraqesin rreziqe të reja, BE-ja mund të ndihmojë për të siguruar mbrojtjen e qytetarëve. Për publikun e gjerë, kjo do të thotë besim më i madh tek institucionet dhe të drejta më të forta në ndërveprimet e përditshme, si në rrjet ashtu edhe jashtë tij. Një përparësi e veçantë për Presidencën irlandeze do të jetë siguria e fëmijëve në rrjet, një shqetësim që e di se është shumë serioz për prindërit në mbarë Evropën.
Zgjerimi i BE-së është gjithashtu përparësi për Presidencën tonë. Si një vend që ka përfituar dhe vazhdon të përfitojë nga anëtarësimi në BE, Irlanda dëshmon për natyrën transformuese të të qenit pjesë e Bashkimit tonë. Është më se e drejtë që vendet që kanë përmbushur reformat e nevojshme të mund t’i bashkohen familjes evropiane dhe popujt e tyre të përfitojnë ashtu si ne. Zgjerimi sjell stabilitet dhe mirëqenie për të gjithë ne. Shtylla e tretë është siguria. Me rritjen e paqëndrueshmërisë gjeopolitike, kërcënimeve kibernetike dhe luftërave në pragun e Evropës, BE-ja po përqendrohet gjithnjë e më shumë te mbrojtja e qytetarëve tanë. Mbështetja për Ukrainën – politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake – është përparësi ndërsektoriale për Presidencën irlandeze. Populli i Ukrainës ka treguar një qëndrueshmëri dhe trimëri të jashtëzakonshme përballë agresionit rus. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah tyre dhe do të përpiqemi së bashku për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën.
Siguria, sigurisht, është një koncept më i gjerë. Ajo përfshin sigurinë energjetike, duke garantuar që familjet dhe bizneset tona të furnizohen me energji me çmime më të përballueshme. Ajo përfshin sigurinë kibernetike, siç është mbrojtja e të dhënave personale dhe e sistemeve bankare. Ajo përfshin pajisjen më të mirë të Bashkimit Evropian për t’u përballur me kërcënimet hibride. Ne do të punojmë për ta përgatitur më mirë Evropën për t’u përballur me krizat. Një Bashkim Evropian më i koordinuar zvogëlon ndjeshmërinë ndaj goditjeve, qofshin ato energjetike, ekonomike, teknologjike apo gjeopolitike.
Një detyrë e rëndësishme për Presidencën tonë do të jetë çuarja përpara e negociatave për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së. Ky buxhet mbështet financimin për infrastrukturën, zhvillimin rajonal, bujqësinë, kërkimin shkencor, inovacionin, sigurinë dhe masat klimatike në mbarë BE-në – fusha me rëndësi qendrore për mirëqenien dhe begatinë e gjithë qytetarëve tanë.
Ndonëse do të jetë e vështirë, ambicia jonë është të arrijmë një marrëveshje për buxhetin afatgjatë brenda këtij viti. Kjo do të kërkojë kompromis dhe vendime të vështira, por motivimi ynë kryesor duhet të jetë investimi në programe dhe projekte që u sjellin përfitime qytetarëve dhe e përgatisin Bashkimin tonë për të ardhmen. Për shembull, buxheti i BEsë ofron fonde që mbështesin komunitetet vendore në mënyra të shumta. Këtu përfshihet përmirësimi i lidhjeve të transportit, lidhshmëria më e mirë digjitale, projekte të energjisë së rinovueshme, si dhe financime për nisma zhvillimore vendore dhe rajonale. Shkurt, vendimet mbi buxhetin e BEsë nuk janë të largëta – ato formësojnë cilësinë e jetës në nivel vendor.
Parimi udhëheqës i Presidencës irlandeze – Ní neart go cur le chéile (“Nuk ka forcë pa unitet”) – përmbledh thelbin e ndikimit që ajo synon të ketë. Në një botë të fragmentuar, shumë nga sfidat me të cilat përballen qytetarët – rritja e kostove, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet e sigurisë – nuk mund të trajtohen nga asnjë vend i vetëm.
Duke u përqendruar te konkurrueshmëria, vlerat dhe siguria, programi i Presidencës së Irlandës përputhet me çështjet që kanë më shumë rëndësi për publikun: stabiliteti ekonomik, drejtësia dhe siguria. Suksesi i tij nuk do të varet vetëm nga ambicia, por edhe nga realizimi i objektivave.
Suksesi i tij do të shihet nga përmirësimet e vërteta në jetën e përditshme të qytetarëve në mbarë Evropën.
Shkrimi posaçërisht për gazetën “Panorama”


