Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit me Karl Biltin theksoi se takimi ishte interesant për shkak të përvojës së madhe që Karl Bild ka me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe menaxhimin me gjendjet në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe në Maqedoni.
“Tani komuniteti ndërkombëtar është i interesuar që të ndihmojnë Maqedoninë për daljen nga kriza politike. Unë i informova se BDI-ja i ka bërë të gjitha detyrimet rreth formimit të shumicës së saj, se e kemi dhënë përkrahjen tonë dhe bëjmë përpjekje që kjo krizë të tejkalohet, por gjithsesi nevojitet lehtësim i procesit nga ana e miqve tanë . Do të shohim si dhe nëse do të reflektojnë palët në këtë proces, megjithatë përgjegjësia kryesore politike i takon partive të mëdha maqedonase LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Ato duhet të tejkalojnë vetveten dhe të vendosin interesin e shtetit. Nuk mendojmë se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje për gjendjen”, deklaroi Ahmeti.
Në lidhje me informatat se gjatë kohës së Pashkëve, duhej të ketë takim me LSDM-në dhe se kanë planifikuar në Kuvend, pa pjesëmarrjen e VMRO-DPMNE-së, të zgjedhin kryetar të Kuvendit, Ahmeti tha se ky është spekulim.
I pyetur nëse BDI-ja do të pranojë seancë të Kuvendit të konvokuar nga LSDM-ja që të kalojë në pikën për zgjedhjen e kryetartit të Kuvendit pa VMRO-DPMNE-në, Ahmeti tha se të gjithë duhet të sillen me përgjegjësi për këtë gjendje.
“Të gjitha hapat që çojnë në konstituimin e Kuvendit në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet ne do të marrim pjesë. Momentalisht nuk ka asnjë lloj komunikimi midis liderëve të partive për konvokimin e ndonjë takimi lider”, tha pas takimi Ahmeti.