Dritare.net- Z. Mehmeti çfarë ndodhi në këto zgjedhje parlamentare në Maqedoni? Si do e komentoni rezultatin e zgjedhjeve, veçanërisht shpërndarjen e votës shqiptare në më shumë parti garuese si dhe 70 mijë votat shqiptare që mori partia opozitare maqedonase, LSDM-ja?
K.Mehmeti: Zgjedhjet e 11 dhjetorit treguan se në Maqedoni populli është më i vetëdijshëm se partitë politike. Këtë në veçanti e dëshmuan shqiptarët, të cilët manifestuan mençuri të lartë politike si dhe guxim qytetarë që ta luftojnë rrugaçërinë dhe banditizmit partiak të BDI’së, që t’i luftojnë qendrat partiake që ishin mësuar me dhunë të marrin votën tonë, ata që merrnin ryshfet për ta punësuar shqiptarin, e që pastaj, atë ta konsideronin si votues të paguar, t’i luftonin pra ata që u tallën edhe me moralin e motrave tona, ata që votat tona ia dhanë DPMNE’së, që ajo të kishte me çka ta mbulonte antishqiptarin. Andaj edhe mund të thuhet se këto zgjedhje shënojnë fundin e epokës së sundimit të BDI’së, e cila partizoi, kriminalizoi, akulturoi dhe degradoi thuajse çdo gjë të vlefshme që kishte shoqëria shqiptare në Maqedoni, me çka shqiptarët e këtushëm u dhanë shembull “Shqipërive” tona se ç’duhet bërë që ta shpëtosh vetveten nga partitë e ‘mëdha’ dhe të ‘forta’, që janë bërë pronare të popullit, të cilat e forcojnë vetveten, por duke e dobësuar shtetin dhe popullin.
Sa i përket fenomenit që shqiptarët të votojnë për një parti maqedonase edhe kjo është një e arritje e BDI’së së fortë, e cila votat shqiptare ia dorëzonte VMRO-DPMNE’së, që ajo më lehtë t’i realizonte projektet antishqiptare. Me çka i çoi shqiptarët të paguanin haraç të dyfishtë: një sunduesit maqedonas, e tjetrin vasalit shqiptarë – BDI’së. Andaj edhe u rrit numri i shqiptarëve të frustruar, të cilëve BDI’ja ua merrte haraçin e lirisë, e sunduesi maqedonas, atë të barazisë! Dhe kjo atyre ua mbushi mendjen se më mirë e kanë nën ‘ombrellën’ e ndonjë partia maqedonase se nën tutelën e partive shqiptare që u shërbejnë qarqeve policore e politike maqedonase.
Dritare.net- Z. Mehmeti, në këto zgjedhje parlamentare garuan më shumë parti shqiptare, gjë që nxiti debate lidhur me atë se kush e pengoi bashkimin e tyre…
K. Mehmeti: I kam dëgjuar dhe lexuar ato komente dhe i kam përcjellë debatet e të brengosurve për fatin tone politik. Sipas meje, një pjesë e këtyre debateve ka të bëjë edhe me interesat e ngushta të elitave tona intelektuale, që duan të kenë partitë e tyre, me çka edhe mbrojnë interesa personale. I kam dëgjuar edhe vlerësimet për dëmin që sjellë shpërndarja e votës shqiptare në më shumë parti garuese në këto zgjedhje parlamentare, Por për çudi, thuajse askush nuk tha se ka një të keqe edhe më të madhe se copëzimi i votës shqiptare: kur votën e bashkuar, partia shqiptare ia dorëzon partnerit të vet maqedonas qeveritar, pa kërkuar asgjë si kundërshpërblim. Pra nuk dëgjova të diskutohet se ç’duhet bërë atëherë kur partia e fortë, e dobëson popullin e vetë, kur forcohen politikisht injorantët, banditët dhe hajdutët e një partie, pra kur ndodh ajo që ndodhi me BDI’në, e cila tërë forcën politike që ia dhamë ne shqiptarët e Maqedonisë, ajo e përdori për ta dhunuar dhe përbuzur popullin e vet, por në ndërkohë duke mbetur e dëgjueshme dhe e përulur përpara qarqeve politike e policore maqedonase.
Po i kam dëgjuar edhe pohimet se krejt ky shumëpartizëm i shqiptarëve të Maqedonisë, ka të bëjë edhe me qendrat e huaj që kanë për qëllim depërtimin e tyre në Ballkan. Unë e di se Maqedonia është Kazablanka e Ballkanit, ku veprojnë të gjitha shërbimet e botës, por kurrë nuk e kuptova se cilat janë ato qendra të huaja policore, që i shantazhuan dhe i çuan drejtuesit e BDI’së të bëhen shërbëtorë të qarqeve policore e politike maqedonase, që i detyruan drejtuesit e BDI’së të mbeten vasal të nënshtruar të sunduesit maqedonas, sunduesit që e kompletoi kalendarin tonë tragjik, ku do mbeten të shënuar ‘Sopoti’, ‘Brodeci’, likuidimi i Harun Aliut me shokët , ‘Monstra’, nata tragjike e Lagjes së Trimave, ‘Enciklopedia maqedonase’, ‘Shkupi 2014’….
Nuk e di për tjerët, por sa më përket mua, gjatë këtyre viteve sa jemi duke jetuar nën sundimin e regjimit DPMNE-BDI, e kuptova atë që populli e ka shpjeguar me një fjali: i huaji mund të ta dojë të keqen, por mund të ta bëjë atë vetëm kur e ndihmon i yti! Andaj, atyre që më pyesnin pse jam kundër BDI-së, u thoja shkurt e shqip: pse duhet pastruar plehu politik që ne vetë e prodhuam gjatë dekadës së fundit, pse duhet dhënë mundësia të rinjve që vetveten e peshojnë vetëm në kandarin e shqiptarisë dhe pse do jemi të mallkuar nëse fëmijët tanë i lëmë në duart e banditëve partiak që thonë se jemi të kërcënuar nga qendra të huaja, por pa na treguar pse ata vetë e dhunojnë votuesin shqiptarë, si të ishin policë të regjimeve antishqiptare.
Dritare.net- Zoti Mehmeti, befasia e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja BESA, të cilën ju edhe hapur e keni përkrahur edhe pse diçka të tillë kurrë nuk e keni bërë ndaj ndonjë partie tjetër. Madje juve ju quajtën ‘prijës shpirtëror’ të saj dhe njeriu që bëri shumë për ta pastruar nga akuzat se është parti erdoganiste me elemente të islamit politik. Çfarë ju çoi ta përkrahni dhe cili do jetë roli juaj i mëtejshëm në këtë Lëvizje?
K. Mehmeti: Heronj të vetëm dhe të vërtet të sukseseve të Lëvizjes BESA janë të rinjtë e saj, që sollën një frymë të re politike, një rini që është e gatshme ta dhurojë më të vlefshmen që ka për shqiptarinë. Dhe nga kjo gatishmëri e tyre u alarmuan gjithë ‘pleqtë’ e këtushëm partiak, madje edhe shumë qarqe partiake në Tiranë dhe Prishtinë, që u bënë bashkë në betejën për t’i njollosur e për ta bllokuar këtë entuziazëm rinorë. Dhe ky idiotizëm yni që ‘radikalizmin’ partiak që është duke e shkatërruar indin e Shqiptarisë, ta mbulojmë me trillimin e armiqve të brendshëm e të jashtëm, më çoi të dal hapur në mbrojtje dhe mbështetje të kësaj Lëvizjeve. Dhe të rinjtë e kësaj Lëvizje këtë ma shpërblyen shumëfish si dhe me dëshminë se kemi rini e cila nuk bënë politike sipas mendësisë destruktive se kundërshtari politik është i barabartë me cilindo armik tjetër të shqiptarisë.
Pra, që të përkrah Lëvizjen Besa më kanë nxitur edhe disa qarqe medaitike në Tiranë e Prishtinë, të cilat, sa herë që edhe dhjetëra shqiptarë të Maqedonisë dalin e protestojnë me Allahun në gojë, ato e hapin ‘sezonin’ e debateve dhe ‘ekspres’ dokumentarëve dhe, fillojnë zbërthimin e rrezikut ‘lindor’, që na kanoset neve shqiptarëve të këtushëm, e të cilat debate e dokumentarë, vetëm sa e shpalosnin ‘evroidiotizmin’ e intelektualizmit që përçan dhe deshqiptarizon. Pra, e kam mbështetur këtë Lëvizje ngaqë më ka irrituar e vërteta se sa herë që ne shqiptarët e Maqedonisë i jemi kundërvënë ‘radikalizmit’ partiak, e që e varfëronte popullin dhe e shkatërronte indin shqiptar, sa herë pra që ne i kemi rrezikuar partitë e këtushme, që u bënë grazhd nga i cili majmen shumë ‘intelektualë’ e ‘mendjendritur’ të Tiranës dhe Prishtinës, në mëmëdhe Shqipëri e atdhe Kosovë, janë zgjuar ‘mbrojtësit’ e shqiptarisë nga ‘radikalizmi islam’ dhe nga ‘turkoshakët’, duke na mbajtur ligjërata patriotike, thuajse ne jemi aq kokëtula, sa mos e dimë sa helmuese është përzierja politikë-fe. Dhe kështu pra, edhe kur u paraqitën të rinjtë e Lëvizjes Besa, e që donin ta luftonin partizimin, kriminalizimin, akulturimin dhe politizimin e çdo pore të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, edhe kur disa nga ne e thamë hapur se Lëvizja BESA është shpresa jonë, që mund të na shpëtojnë nga e keqja e quajtur BDI, në Prishtinë e Tiranë, u alarmuan ‘mbrojtësit’ e shqiptarisë, të cilëve unë nuk ua zë për të madhe pse e kryejnë ndershëm punën për të cilën janë të paguar nga punëdhënësit e tyre partiak, por ndjehem i ofenduar, i përbuzur dhe madje më vjen për të vjell, kur e shoh se arroganca e tyre, herë-herë, shkon edhe përtej asaj të qarqeve antishqiptare në Beograd e Shkup dhe, neve shqiptarëve të Maqedonisë, na mbajnë për aq sylesha, sa thuajse nuk jetojmë në kohën e internetit, por në atë të ’Sulltan Hamitit’, me çka edhe kemi nevojë që dikush të na tregojë se ku fillon përkatësia etnike, e ku përfundon ajo fetare. Dhe kjo ishte ajo që më çoi të dal publikisht në mbështetje të Lëvizjes BESA.
Dritare.net-Ka vlerësime se nga këto zgjedhje parlamentare shqiptarët dolën politikisht më të dobët se kurdo qoftë më parë. Si e vlerësoni situatën e tanishme politike dhe cilat janë parashikimet e juaj lidhur me përbërjen e ardhme të koalicionit qeverisës.
K.Mehmeti: Forca politike e një populli nuk matet vetëm nëpërmjet numrave të deputetëve, por mbi të gjitha nëpërmjet strategjive dhe konceptet politike mbi të cilat e mbështet veprimtarinë. Shqiptarët e Maqedonisë politikisht sot janë më të fortë se kurdoqoftë më parë. Edhe pas këtyre zgjedhjeve, njësoj si edhe kur ishin me më shumë deputet, ata mund ta lënë Maqedoninë pa qeveri dhe mund ta fillojnë ndërtimin e Maqedonisë shqiptare. Pra, edhe sot,
njësoj si më parë, ata mjafton ta themelojnë “Parlamentin e shqiptarëve të Maqedonisë” me aq deputetë sa ka zgjedhur populli, me çka do e detyronin palën maqedonase të pajtohej që edhe interesi shqiptar të ngrihet në rrafshin e interesit shtetëror, po aq sa edhe ai maqedonas. Pra shqiptarët e Maqedonisë nuk i bënë të fortë vetëm numri i deputetëve, por mençuria e elitave politike që ta materializojnë forcën politike që kanë. Nga ky këndvështrim parë, unë pres që Lëvizja BESA të mos e vazhdojë vasalizmin shqiptarë në qeveritë maqedonase dhe të mos bëhet pjesë e asnjë qeverie që nuk pranon ndërtimin edhe të Maqedonisë shqiptare. Nëse ndodh ndryshe, unë s’kam çka bëjë më shumë përpos se t’u them: zotërinj, mburrem për pjesën e udhëtimit që bëmë bashkë, por tani e tutje unë do vazhdojë rrugën time të shkrimtarit, e ju ecni më tej pa mua, në udhën tuaj të politikanit.
Shkurt thënë, relacionet e mia me Lëvizjen Besa nuk janë të kushtëzuara me asgjë. Dhe në këto rrethana në të cilat jemi ne shqiptarët e Maqedonisë, unë vlerësoj se nuk kemi pësuar ndonjë humbje të madhe. Më në fund, ne nuk patëm ndonjë dobi edhe nga shumësie e deputetëve që kishte BDI-ja. Andaj mund të them se në këto zgjedhje, ne e ‘humbëm’ mundësinë që edhe më tej të kemi një parti të fortë siç ishte BDI’ja, e cila të mirën e kryesuesve të saj e barazonte me të mirën e popullit, ne e humbën mundësinë që duke forcuar me votën tonë BDI’në, të forcojmë injorancën, banditizmin, krimin dhe rrugaçërinë partiake, e humbën mundësinë që edhe në të ardhmen, ambasada e Shqipërisë dhe Kosovës në Shkup, të mbeten degët më aktive të BDI’së, e humbën mundësinë që edhe më tej të kemi një BDI të fortë, që Presidentit të Kosovës do ia përpilojë listën e shqiptarëve të këtushëm që duhet dekoruar, e humbëm mundësinë që edhe më tej të mbetemi në duart e një BDI të fortë, që do prodhonte ‘turkoshak’ e ‘islamistë radikal’, vetëm për ta mbuluar leninizmin dhe injorancën e vet deshqiptarizuese…Pra unë vlerësoj se në zgjedhjet e fundit parlamentare, ne shqiptarët e Maqedonisë e humbën mundësinë që edhe më tej të mbetemi në duart e një partie të fortë si BDI’ja, e cila ishte pjesë e regjimit që njëherë në vit na organizonte nga një ‘Sopot’, ‘Brodec’, Monstër’, likuidim e burgosje të komandantëve të UÇKÇ’së, Lagjen e Trimave në Kumanovë, nga një projekti si ‘ Shkupi 2014’ apo ‘Enciklopedi maqedonase’. Shkurt e shqip, sipas meje, në zgjedhjet e fundit parlamentare, ne shqiptarët e Maqedonisë e humbëm vetëm mundësinë që edhe më tej të mbetemi në duart e injorantëve dhe leninistëve të BDI’së, që e ndihmuan VMRO-DPMNE’në ta deshqiptarizojë Maqedoninë, në duart e atyre që deshën të na bindin se luani bullgar është i barasvlershëm me shqiponjën tonë dykrenore, pra humbën mundësinë të kemi një parti të fort si BDI’ja, e cila nëse do mbetej edhe më tej e fortë sa që ishte, mbase do na detyronte të gjithë neve shqiptarëve të Maqedonisë të aderonim në partitë maqedonase! Pra ne përjetuam një ‘humbje’, që mua si shqiptar të Maqedonisë, më bënë të ndjehem krenar./dritare.net