Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë ka paraparë që përbërja e re e Kuvendit pas zgjedhjeve parlamentare duhet të takohet në mbledhje konstitutive më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Mbledhjen konstitutive, sipas nenit 63 të Kushtetutës, e thirr kryetari i Kuvendit nga përbërja e kaluar. Në rast se nuk thirret mbledhja në afatin e paraparë, atëherë deputetët mblidhen vetë dhe konstituojnë Kuvendin në ditën e 21-të pas zgjedhjeve.
Sipas nenit 90 të Kushtetutës, kryetari i Republikës është i obliguar që në afat prej 10 ditëve nga konstituimi i Kuvendit mandatin për formimin e Qeverisë t’ia japë kandidatit të partisë ose partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga besimi i mandatit Kuvendit t’i paraqesë program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë.
Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.