Këshilltari i kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, Erolld Belegu ka sulmuar ashpër Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, kjo parti s’ka bërë asgjë për të luftuar korrupsionin, shkruan lajmi.net.
Madje, siç thotë ai LDK-ja nuk mbahet mend për asgjë të mirë.
Ky është postimi i plotë i tij në Facebook:
Me gjithë respektin për dëshirën për t’u përmirësuar si parti, të gjithë e dimë se LDK-ja ka qenë pjesë e gati të gjitha qeverive të pasluftës dhe asgjë s’ka bërë për ta luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe për ta zhvilluar Kosovën. Janë ata që e kanë bërë Hashim Thaçin president. Janë ata që kanë shkaktuar skenat traumatike në stacione të autobusëve të ikjes së rinisë sonë nga keqqeverisja e tyre. Në fakt, ata nuk mbahen mend për asgjë të mirë, por vetëm për mosvendosmëri dhe mundësim të së keqes.
Duke i dërguar letra të hapura njëri tjetrit për bashkëpunim përmes statuseve në Facebook, u vërejt se nuk e kanë në interes qytetarin, por vetëm përfitimet momentale të votave në elektorat.
Ata që ia dojnë të mirën këtij vendi, nuk luajnë me ndjenja të qytetarëve. Ata që e dojnë Kosovën 100% shtet, punojnë ditë e natë për rezultate konkrete.
Qeveria e Ramush Haradinajt ka bërë më shumë gjatë gjysëm mandati sesa LDK-ja gjatë të gjitha mandateve të tyre. /Lajmi.net/



