Në seancën e njëzet e pesë komunale në Këshillin e Komunës së Kumanovës, këshilltari nga radhët e Alternativës, Florim Ymeri parashtroi pyetje në lidhje me orëmatëset e EVN-së, barakat në rrugën 11 tetori si dhe pesë shqiptarët e larguar nga puna nga Shtëpia e Pleqve, raporton Almakos.
“ Do të jam sa më i shkurt në pyetjet e mia. Deri te Sektori i Urbanizmit kam pyetje në lidhje me orëmatëset e rrymës që janë vendosur jashtë, a gjenden ato në planin urbanistik? Dhe pyetja e dytë do të jetë për drejtorin e Shtëpisë së Pleqve, për pesë të punësuarit të cilët janë larguar nga puna, pasi që iu është ndërprerë kontrata pasi që tash janë zgjedhjet presidenciale dhe nuk mund që t`i vazhdohet kontrata? Kjo përgjigje do të jetë e papranueshme nga ana e jonë, nëse ka ndonjë përgjigje tjetër të na jap? Dhe një pyetje për kryetarin e komunës për rrugën “11 tetori ”, objektet montuese ose barakat deri ku është puna me to? “, pyeti Florim Ymeri nga Alternativa.
Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski u përgjigj në lidhje me problemin e dislokimit të barakave ku sipas tij kjo gjë është e kushtueshme dhe se do të bëjnë çdo gjë për ta zgjidhur atë problem.
“Do të përgjigjem në pyetjen e fundit, dhe pasi që nuk po e shoh drejtorin e Shtëpisë së Pleqve, sekretari do të jap përgjigje, pasi që jemi të njohur me këtë punë. Në lidhje me barakat në rrugën “ 11 tetori” ose barakat e xhamisë që ne i quajmë. Ashtu si e dini, komuna e ka në plan që ta bëje të qarkullueshme rrugën dhe e nisëm menjëherë procedurën, por problemi u paraqit me SIS. Pasi që ato i kanë nën mbikëqyrje ato objekte, dërguam njoftim deri te to, ata tashmë nuk kanë nënshkruar marrëveshje për ato objekte, por vet procedura po shkon shumë ngadalë, pasi që nuk kanë mundësi me kry procedurën e dislokimit të objekteve, pasi që ajo kushton. Në anën tjetër ata erdhën te ne që të na japin neve si komunë dhe ne vet t`i dislokojmë në lokacion të caktuar, por problemi është se nuk mund që të marrim asnjë dokument për dislokim të këtyre hapësirave publike. Intenca jonë është që t`i dislokojmë dhe ne do t`i dislokojmë këto objekte.”, tha Maksim Dimitrievski.
Në lidhje me orëmatëset e EVN-së që po vendosen nëpër rrugë, udhëheqësja e sektorit të punëve komunale, infrastrukturës, trafikut dhe mbrojtjes së ambientit jetësor dhe natyrës, Lidija Lang deklaroi se deri më tani askush nuk ka dërguar kërkese tek to për t`i vendosur ato orëmatëse.
Sipas saj, kjo gjë nuk është paraparë me planin urbanistik dhe se orëmatëset e EVN-së janë ndërtime pa leje.
“Me planin urbanistik detaj nuk është parapa një gjë e këtillë. Nga EVN nuk është dërguar asnjë kërkesë për një gjë të këtillë. Për momentin të gjitha ato që janë vendosur janë ndërtime pa leje. Udhëheqësja e sektorit të urbanistikës.”, deklaroi Lidija Lang.
Ndërsa në lidhje me përjashtimin e shqiptarëve nga Shtëpia e Pleqëve, nuk ishte prezent drejtori i kësaj ndërmarrje publike për të dhënë përgjigje të qartë. /Almakos/