18 July
Optimizmi që karakterizon Qeverinë e re në këtë fillim të ri i lejon BE-së të rifokusojë gjithë energjinë në reformat që u nevojiten qytetarëve të Maqedonisë, theksoi Përfaqësuesja e Lartë, Federika Mogerini. Në Komisionin për Stabilizim Asociim ajo rikonfirmoi se BE-ja do ta ndihmojë Maqedoninë të realizojë perspektivën e saj euro-atlantike.
Jam e sigurt se ne do ta lëvizim përpara procesin e anëtarësimit të vendit në mënyrë të konsiderueshme, nëse vazhdojmë të jemi të fokusuar në çështje konkretisht të zbatueshme. Perspektiva e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë për integrim evropian, për ne është një pjesë esenciale dhe integrale e angazhimit tonë për Ballkanin Perëndimor- deklaroi Federika Mogerini, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë e Jashtme dhe Sigurisë.
Komisioneri për Zgjerim, Johanes Han porositi edhe një herë Qeverinë e re ta zbatojë Marrëveshjen e Përzhinos dhe rekomandimet e Pribesë. Ndërkohë i bëri thirrje opozitës të jetë konstruktive edhe në procesin e ndreqjes së marrëdhënieve me fqinjët.
Ne me të vërtetë e vlerësojmë përpjekjet që Qeveria e re po i bën për t’i tejkaluar problemet e së kaluarës, që të bëjë lëvizje të suksesshme drejt integrimit evropian. Jam shumë i sigurt se shumë shpejtë do të pasojnë hapa të suksesshëm- deklaroi Johanes Han, komisioner i BE-së për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim.
Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov theksuan përcaktimin e Qeveria për t’i realizuar të gjitha reformat e nevojshme.
Dhashë tre porosi kryesore. Nën një, se planin 3-6-9 do ta realizojmë, se ligjin për gjuhën shqipe do ta miratojmë dhe se do të adresojmë çështjet e hapura me fqinjët. Këto janë parakushtet kryesore për të zhbllokuar procesin e integrimit dhe Qeveria është e përkushtuar në realizimin e detyrimeve- tha Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Ne jemi të bindur fuqishëm, që këtë shans të dytë që e kemi si shtet ta shfrytëzojmë dhe të bëjmë çmos të sigurojmë fillimin e negociatave me Unionin. Sot u pajtuam për rëndësinë e adresimit të gjithë reformave të mbetura në një proces të hapur, inkluziv dhe transparent- deklaroi Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm.
Ndër të tjerash, përfaqësuesit e BE-së përshëndetën kontributin e Maqedonisë në Samitin e Triestes, në të cilin u krijuan Hapësira Rajonale Ekonomike dhe një sërë projektesh tjera të përbashkëta midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Anesa Aliti

