Në tension, por ishte konstruktive. Kështu ka kaluar takimi dy orësh i anëtarëve në Këshillin për reforma në drejtësi me ministrin e drejtësisë, Bilent Saliji. Është dakorduar që profesoresha Mirjana Najçevska të udhëheqë me grupin e punës që duhet saktë t’i definojë rregullat e punës të këshillit si dhe rolin e tij në reformat në gjyqësor. Të gjithë 17 ekspertët e jashtëm, 8 nëpunës dhe ministri Saliji janë në Këshill, ndërsa profesori Gordan Kallajxhiev edhe pse publikisht paralajmëroi dorëheqje ende nuk ka dorëzuar kërkesë të tillë në ministri.
Këshilli për reforma në gjyqësor që është në kuadër të ministrisë së drejtësisë do të vazhdojë të funksionojë si edhe deri tani me një rritëm të përshpejtuar në drejtim të zbatimit të të gjitha detyrave që priten në një të ardhme të afërt nga vetë ministria e drejtësisë, me qëllim të reformimit të sistemit gjyqësor në Maqedoni. Unë edhe më tej jam kryetar i këshillit, formuar grupin e punës që do të propozojë zgjidhje të saktë për mënyrën e punës së Këshillit në të ardhmen – tha Bilent Saliji, ministër i drejtësisë.
Këshilli ka vendosur të formojë edhe Komision që duhet t’i shqyrtojë opsionet në legjislativën ekzistuese për përtëritjen e procedurave ku ka indikacione për shkelje serioze të të drejtave të njeriut. Në pyetjen e gazetarëve nëse kjo do të thotë se rastet e montuara politike do të analizohen përkundër kritikave nga Brukseli, profesori Lubomir Fërçkovski tha se do të shqyrtohet kjo mundësi.
Proceset politike janë 4-5, ndërsa ka shkelje të rëndësishme të të drejtave të njeriut dhe kurdisje që nuk mund të përkufizohen ashtu pikërisht politikisht, në atë kuptim, kushtimisht thënë dramatike, ndërsa bëhet fjalë për, ja të themi, dëshmitarë të mbrojtur të rrejshëm. Kurdisje në këtë kuptim. Nuk janë në numër të madh, por ka dhjetëra-15 raste të rëndësishme, por do të shohim, Komisioni do ta punojë këtë dhe do ta propozojë këtë, do ta shihni në fund të fundit ndoshta edhe numrin e atyre rasteve – u shpreh Lubomir Fërçkovski, anëtar i Këshillit për reforma në gjyqësor.
Ndryshe, sipas anketës që e bëri Instituti për demokraci për nevojat e emisionit „360 Gradë“, nëse situatat në gjyqësor duhet të përmirësohen, 85% e qytetarëve të anketuar shprehen „po“. Nga ana tjetër, në pyetjen, nëse rastet e montuara politike duhet të rishikohen, madje 77,5% gjithashtu janë përgjigjur me “PO”.
Alsat-M

