Alsat-M 2019-06-17T14:50:47+02:00
Këshilli i Ministrave të BE-së të marrë vendim pozitiv për Shkupin. Kjo është porosia e komisionerit evropian për zgjerimin Joanes Han dhe shefes së diplomacisë evropiane Federika Mogerini. Han deklaroi se kompromisi politik i Maqedonisë duhet patjetër të shpërblehet, në të kundërtën BE-ja humb kredibilitetin e saj.
Mesazhi im për të gjithë është që të kuptojnë situatën në rajon dhe perspektivën e tij. Një vend ka investuar shumë në perspektivën evropiane, në lidershipin dhe guximin që treguan. Nëse kjo nuk shpërblehet, ne nuk humbim vetëm rëndësinë tonë por edhe besueshmërinë. Gjithçka në të cilën kemi investuar me sukses për disa vite është në rrezik nëse nuk angazhohemi në realizimin e premtimet tona.”- tha Johanes Hahn, komisioner për zgjerim
Ndërkohë shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogerini nga Luksemburgu rikujtoi ministrat e BE-së për Marrëveshjen e Prespës.
Sot është një vit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe mendoj se duhet ta përkujtojmë fuqinë e guximit dhe lidershipit, si dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë në Ballkan. Shpresoj që shtetet anëtare do të kujtojnë dhe t’i njohin këto hapa, veçanërisht në ditët në vijim kur duhet të merret vendim i rëndësishëm për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, vendim që duhet të merret sa më shpejt që është e mundur”- theksoi Federika Mogerini, shefe e diplomacisë së BE-së
Vendim pozitiv pret edhe kryeministri Zoran Zaev. Në intervistë për mediat austriake, ai ka deklaruar se shpreson që ministrat e BE-së, të martën do t’i japin mundësi vendit tonë që, deri në fund të vitit të fillojë negociatat. Një vendim i këtillë, sipas kryeministrit Zaev do të motivonte procesin e reformave në vend. Ministrat e punëve të jashtme të BE-së, në takimin e së martës në Luksemburg duhet të miratojnë konkluzione dhe rekomandime për hapat e mëtejm të vendeve të cilat janë në rrugën drejt BE-së. Vendet baltike dhe nga Evropa qendrore angazhohen për fillim të negociatave në qershor, por Gjermania dëshiron anulimin deri në shtator, për shkak të debatit në Bundestag.
Mefail Ismaili
Loading…



