26 April 2018 / 16:02
Kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski dhe katër gjykatës tjetër kanë marr njoftimin nga Këshilli gjyqësor lidhur me propozimin për shkarkimin e tyre. Procedura ndaj tyre ka nisur pasi Këshilli Penal në gjykatën më të lartë vendosi ta lirojë nga paraburgimi biznesmenin Sead Koçan, edhe pse ai gjendej në arrati. Kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Xhemali Saiti, i cili po ashtu është gjykatës suprem, dhe disa nga pesë gjykatësit që vendosnin nëse Koçan do të përfundojë në Shutkë ose jo, tashmë janë duke përgatitur kundër argumentet për parashtresën me të cilën kërkohet shkarkimi i tij.
Do të vijojnë afatet për përgjigje ndaj kësaj parashtrese. Shpresoj se do të gjendemi, thënë kushtimisht, në sallën gjyqësore të quajtur Këshill Gjyqësor dhe aty do t’i ballafaqojmë argumentet lidhur me parashtresën e Këshillit për fakte – deklaroi gjykatësi suprem, Xhemali Saiti.
Kreu i Supremes, Jovo Vangelovski, së bashku me gjykatësit Rahila Stojkovska dhe Risto Katevenovski votuan që Koçani të lirohet, ndërsa Xhemali Saili dhe Faik Asllani ishin kundër. Saiti nuk është kundër që seanca e Këshillit gjyqësor ku do të mbrohen nga shkarkimi, të jetë publike.
Kur bëhet fjalë për mua, nuk ka problem, por për shkak se do të bisedohet për kërkesa të më shumë gjykatësve, nuk e di se cili do të jetë qëndrimi i gjykatësve tjerë. Unë jam i hapur dhe skam çfarë të fsheh – theksoi Xhemali Saiti.
Ndryshe, Këshilli gjyqësor nuk dha përgjigje të saktë se kur do të caktojë seancë për pikën e shkarkimit të pesë gjykatësve të Supremes.
Janë formuar komisione me nga tre anëtarë. Ata bëjnë dorëzimin dhe caktojnë debate duke ftuar gjykatës dhe avokatët e tyre nëse përcaktohen për këtë. Këto debate të komisioneve nuk janë publike, përveç nëse gjykatësi e kërkon këtë – thanë nga Këshilli Gjyqësor.
Në muajin mars të vitit të kaluar, pasi Gjykata Penale dhe e Apelit konfirmuan paraburgimin për Sead Koçan në rastin “Trust” të Speciales, i njëjti u arratis nga vendi. Prokuroria publike me në krye Marko Zvërlevskin kërkoi që të tërhiqet masa e paraburgimit. Supremja e liroi biznesmenin edhe pse ai mbi dy muaj ishte në arrati. Koçan u kthye pasi kuptoi se nuk do të përfundojë në Shutkë. Ndryshe, Sead Koçan akuzohet se me dokumente false ka marrë tender nga kompania shtetërore ELEM në vlerë prej mbi 17 milion euro. Rasti “Trust” është drejt finalizimit, ndërsa ai është në liri me garanci prej një milion euro.
Bojan Stojanovski


