Teksa togat e zeza të GJKKO-së janë tërhequr për të marrë një vendim ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, avokatët kanë kërkuar që Erion Veliaj të lirohet kundrejt garancisë pasurore, ndërsa për bashkëshorten e tij, nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitjeje”.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se kërkesa e avokatëve ka ardhur para se togat e zeza të tërhiqeshin për vendim, si dhe përveç çiftit, pritet rivlerësim mase edhe për 6 biznesmenë, nga të cilët një është me masë sigurie “arrest në burg”, ndërsa 5 të tjerët me masa “detyrim paraqitje”.
Seanca gjyqësore nisi që në orën 08:30 të mëngjesit e sotëm, por u ndërpre për shkak se avokatët kërkuan kohë për tu njohur me 66 fashikujt e dosjes, për të rifilluar sërish seanca rreth orës 13:30.
Kryebashkiaku ka mohuar akuzat para togave të zeza, si dhe kërkoi masë më të lehtë sigurie pasi është shprehur se nuk ndodhet në kriteret për të qenë nën masën e sigurisë “arrest në burg”, siç raporton gazetarja Lala.