02 July
Gjatë vizitës së sotme të autostradës e cila po ndërtohet Kërçovë- Ohër, tek tuneli para Burimit të Kërçovës, ministri i transportit Goran Sugarevski, akuzoi qeverinë e mëparshme për realizim të dobët të aksit. Sipas tij një prej problemeve më të mëdha për ngecjen e punimeve është edhe rrëshqitja e dheut që e mbulon rrugën.
Shkak për këtë është përzgjedhja e trasesë jopërkatëse, siç nuk është bërë as shpuarje gjeologjike në terren si dhe nuk është bërë revidimi i projektit. Nuk janë bërë apo janë bërë shumë pak analiza gjeoteknike dhe gjeomekanike të tokës. Tashmë 13 muaj të plota nuk ka zgjidhje, ndërsa pajisja e plotë gjendet në vendin e punës– tha ministër i Transportit Goran Sugarevski.
Për pohimet e këtilla të ministrit reaguan nga VMRO-DPMNE. Nga partia opozitare thanë se pohimet e ministrit janë gënjeshtra qëllimi i të cilave është ta devalvojnë projektin pasi qeveria aktuale nuk është e aftë ta vazhdojë, por edhe të zgjidhen kompani të reja për realizimin e punimeve.
Sugarevski shënoi autogol. Nëse ka shmangje nga këto projekte, atëherë për këtë Sugarevski duhet ta kërkojë fajin vetëm në partinë e tij, qeveria e të cilës i përgatiti këto projekte– thonë nga VMRO-DPMNE.
Për periudhën e ardhshme ministri njoftoi se do të kërkohet zgjidhje për problemet, planifikohet të bëhet dislokimi i linjave elektro energjetike dhe të telekomunikacionit si dhe të rregullohen çështjet pronësoro- juridike përgjatë trasesë.
Alsat

