Situata rreth ngjarjes tragjike që tronditi kryeqytetin, vrasja e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, po merr përmasa edhe më shqetësuese.
Pas arrestimit të autorit të dyshuar, Elvis Shkambi, në qendër të vëmendjes është vënë xhaxhai i tij, Gjovalin Shkambi, i cili ka dalë publikisht me një deklaratë kërcënuese ndaj sistemit të drejtësisë.
Në një prononcim për mediat, Gjovalin Shkambi ka bërë një deklaratë të paprecedentë, duke kërcënuar me armë çdo gjyqtar që do të marrë përsipër dënimin e nipit të tij. “Ai gjyqtari që do ta dënojë nipin tim do të përballet me plumba,” është shprehur ai, duke ngritur shqetësim të madh për institucionet e rendit dhe sigurinë e përfaqësuesve të drejtësisë.
Shkambi ka pretenduar se familja e tij është në konflikt prej vitesh me autoritetet për një çështje prone, të cilën sipas tij e kanë blerë në mënyrë të ligjshme, por që nuk u është kthyer asnjëherë. Ai ka theksuar se ky konflikt ka zgjatur për më shumë se 13 vjet dhe se gjatë gjithë kësaj kohe kanë kërkuar zgjidhje nga institucionet më të larta të shtetit.
“Ka 13 vite që i shkojmë kryeministrit. Na e jepni pronën që e kemi blerë. Me mua ka të njëjtën shpërblim, provat i dhamë. Ja kemi blerë shtetit, ose të na çojnë në burg,” ka vijuar ai me tone të ashpra.
Deklaratat e tij janë cilësuar si një kërcënim serioz ndaj sistemit të drejtësisë, duke rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së gjyqtarëve në vend. Organet ligjzbatuese pritet të reagojnë lidhur me këtë deklaratë publike, e cila mund të përbëjë vepër penale më vete.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik, ndërsa qytetarët kërkojnë që drejtësia të veprojë me vendosmëri dhe të garantojë sigurinë e përfaqësuesve të saj, pa u ndikuar nga kërcënimet apo presionet e kujtdo.