Dokumentet për keqpërdorimet e mundshme në Qendrën për Menaxhimin e Krizave, të cilat i publikoi Sindikata e të Punësuarve në QMK, tanimë janë dorëzuar edhe tek Prokuroria Publike, Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, tek Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe tek kryeministri. Këtë e njoftoi kryetari i Sindikatës së të Punësuarve në QMK, Ilija Bojarovski, i cili tha se sindikata pret që institucionet të ndërmarrin masat e nevojshme.
“Dokumentacionin për keqpërdorimet e mundshme, që i është dërguar sindikatës. që të mundësojë mbrojtje të drejtësisë, profesionalitetit, karrierës dhe standardit të anëtarëve tanë, e me këtë edhe të të gjithë të punësuarve në QMK, e kemi dorëzuar edhe tek Prokuroria Themelore Publike, Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, i kemi dorëzuar edhe tek Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe tek kryeministri”, tha Bojarovski.
Ai duke akuzuar Agron Buxhakun, se gjatë kohës që ai ushtron detyrën drejtor, në këtë qendër janë angazhuar persona joprofesionistë dhe në bazë të lidhjeve partiake, kërkon ndihmë dhe mbështetje nga pjesa e sektorit joqeveritar, edhe nga bashkësia ndërkombëtare, që të ndryshohet ky fenomen, dhe në vend të tyre në QMK, të angazhohen persona profesionistë dhe jopartiakë.
“Është interesante që pas indikacioneve preventive tonat në opinion, edhe Bashkësia ndërkombëtare tregoi interes për ushtrimin e postit “Drejtor” në QMK, nga e cila tanimë kërkojmë mbështetje për angazhimin strategjik për persona profesional dhe jopartiak, për dy vendet e para funksionare në QMK, sepse shumë organizata shtetërore dhe ndërkombëtare kanë kontribuar dhe kanë investuar nëpërmjet QMK-së, për forcimin e mbrojtjes, sigurisë dhe menaxhimit me krizat, si dhe ndihmon mbi situata të krizës në Maqedoni”, ka thënë ai.
Sindikata e të Punësuarve në Qendrën për Menaxhim, së fundmi ka publikuar dokumente që kanë arritur tek kjo sindikatë dhe me të cilat ushtruesi i detyrës drejtor, Agron Buxhaku dhe kabineti i tij, akuzohen për keqpërdorime dhe shkelje të ligjeve gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
Ajnur Bafqari /SHENJA/

