Nga Drejtoria e Doganave njoftojnë se deri te Prokuroria Themelore janë parashtruar kallëzime penale ndaj 9 personave, që dyshohen për kryerje të veprave penale me automjete të përdorura, ku sipas Doganës, buxheti i shtetit është dëmtuar për gjithsej 635.827 denarë, përcjell TV21. Në një rast është përfshirë një doganier, ndërsa për të njëjtin është lëshuar vendimi për largim nga puna. Doganat njoftojnë se këto raste vijojnë pas rasteve paraprake në lidhje me keqpërdorime gjatë importit.
“Inspektorët edhe në një rast tjetër kanë konstatuar shkeljen të rëndë të rregulloreve ligjore, në të cilën shoferi, importuesi dhe doganieri dyshohet se kanë futur në vend një automjet mallrash, duke iu shmangur pagesës së detyrimeve për import, duke i shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë buxhetit prej 256 mijë denarë. Me këtë rast automjeti është sekuestruar, ndërsa ndaj autorëve është ngritur kallëzim penal”, shtojnë nga Doganat.
Kallëzim penal për mashtrim doganor dhe falsifikim dokumentesh është ngritur edhe kundër një kompanie nga Dellçeva.
“Në këtë rast, bëhet fjalë për vepra penale, për pagesë më të ulët të tarifave gjatë importit. Autorët, gjatë importimit të një automjeti mallrash, gjatë zhdoganimit kanë paraqitur një dokument të falsifikuar për origjinë preferenciale të mallit, me qëllim që të lirohen nga pagesa e detyrimeve doganore. Kjo është konstatuar pas verifikimit të dëshmisë së dorëzuar për origjinën e mallit në organin doganor të një shteti anëtar të BE-së, pas çka është përgatitur vendim me të cilin importuesi duhet të paguajë shumën prej 236.241 denarë”, shtojnë nga Doganat.